Aplikacion
Një 60-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në Itali pasi u plagos rëndë gjatë punës në një fermë në zonën e Lungavilla-s, në provincën e Pavias.
Viktima, Rudi Simaneta, punonte në një fermë lokale në zonën Cascina Americana. Sipas mediave italiane, ai ishte duke kryer pastrimin e murit të një magazine dhe për të arritur lartësinë, ishte ngjitur mbi pirunët e një mjeti pune.
Gjatë manovrës, në rreth tre metra lartësi, shqiptari dyshohet se humbi ekuilibrin dhe u rrëzua në tokë, duke pësuar goditje të fortë në kokë.
Kolegët që ndodheshin pranë tij ndërhynë menjëherë dhe njoftuan shërbimet e emergjencës, pasi 60-vjeçari kishte humbur ndjenjat. Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, të cilat tentuan ta stabilizonin para se ai të transportohej me helikopter drejt spitalit “San Matteo”.
Për katër ditë me radhë Simaneta qëndroi në terapi intensive në gjendje kritike, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. Karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë po verifikojnë nëse në fermë janë respektuar rregullat e sigurisë dhe nëse ka pasur shkelje që mund të kenë ndikuar në ngjarje.
Sipas rindërtimeve të para të mediave italiane, dyshohet se rrëzimi mund të ketë ardhur si pasojë e një pakujdesie gjatë punës./ Zoom.al