Aplikacion
Hetimet për vdekjen e një 44-vjeçari shqiptar, i cili u gjet pa shenja jete në një stallë në rajonin e Messinia, po orientohen drejt një piste të re.
Fillimisht rasti u trajtua si vrasje e mundshme, por të dhënat e fundit nga ekspertiza mjeko-ligjore sugjerojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Sipas specialistëve, analizat balistike dhe gjurmët e barutit në vendngjarje përputhen me skenarin që shqiptari të ketë qëlluar veten.
Sipas mediave greke, arma e përdorur ishte një pushkë gjahu, e cila u gjet e fshehur në një distancë të afërt nga trupi dhe rezultonte e shkrepur. Dyshohet se ajo i përkiste pronarit të stallës, një i moshuar me probleme shëndetësore.
Një element që ka ndikuar në ndryshimin e drejtimit të hetimeve është edhe dëshmia e një personi të afërt me viktimën, i cili ka deklaruar se 44-vjeçari kishte shprehur më herët mendime për t’i dhënë fund jetës.
Po ashtu, vajza e pronarit të ambientit ka pranuar se pasi gjetën trupin, ajo dhe partneri i saj e zhvendosën armën nga frika se mund të implikoheshin, përpara se të njoftonin autoritetet./ Zoom.al