Aplikacion
Debati i fundit rreth Raportit për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe çështjes së Zvërnecit ka nxjerrë në pah edhe njëherë sesi qeveria e drejtuar nga Rama përpiqet të manipulojë qytetarët nëpërmjet propagandës.
Pas votimeve dhe diskutimeve në Parlamentin Europian, eurodeputetët votuan me shumicë votash një amendament që kërkonte nga qeveria shqiptare të tëhiqte ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të vendoste një moratorium për të ndaluar ndërtimet në zonat e mbrojtura deri në zhbërjen e ndryshimeve të vitit 2024 dhe t’i jepte fund ligjit për investitorët strategjikë.
Edi Rama, i pari, e shiti këtë shuplakë të Parlamentit Europian si fitore. Qëndrimi i tij pati në thelb mburrjen se eurodeputetët rrëzuan një amendament ku kërkohej të përmendej edhe emri i Jared Kushner.
“Ja dhe Parlamenti Europian e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë. Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, shkruaji Rama pasi votimit në Parlamentin Europian.
Pas tij, ministra, deputetë e drejtorë administrate nisën të bënin të njëjtin postim, duke brohoritur për fitore.
Shumë gazetarë, analistë dhe politikanë shkruajtën se PE votoi të kundërtën. Por për ta kuptuar më mirë atë që ndodhi dhe çfarë do të kishte dashur Edi Rama që të votonte Parlamenti Europian, publikut i erdhi sot në ndihmë eurodeputetja gjermane gjermane Jutta Paulus.
Znj. Paulus tregoi se si dy përfaqësues të Partisë Socialiste të Shqipërisë i kishin dërguar asaj dhe eurodeputetëve të tjerë e-maile duke u kërkuar që të mos e votonin amendamentin me tre kërkesat për investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura. “E-maili provë. Si deputetët e Edi Ramës tentuan të influenconin vendimin tim”, shkruan Paulus në rrjetet e saj sociale, ku ka publikuar edhe provat.

E-mailet, -thotë eurodeputetja, – i janë nisur nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe deputetja Bora Muzhaqi. Ajo sqaron se këto ndryshime ishin të lidhura me projektin në zonën e Zvërnecit dhe me mënyrën se si ai po trajtohej në diskutimet parlamentare.
Në përmbajtjen e publikuar, Balla dhe Muzhaqi thonë se projekti në fjalë nuk ndodhet ende në fazën e lejes së ndërtimit, ndërsa statusi i zonës së mbrojtur mbetet i pandryshuar. Ata shtojnë se çdo hap i mëtejshëm zhvillimor do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit mjedisor, në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe standardet e Bashkimit Europian.
Këto e-maile të dërguara nga adresat e Taulant Ballës dhe Bora Muzhaqit tregojnë në fakt se sa i interesuar ishte Edi Rama që amendamentet të rrëzoheshin dhe se urraaa-të për ta shitur votën e PE-së si fitore janë vetëm gënjeshtra për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, për t’u fshehur atyre krizën reale që ekziston sot mes qeverisë Rama dhe Brukselit. /Zoom.al