Aplikacion
Senatori amerikan Jon Ossoff (Demokrat nga Georgia) ka mbajtur një qëndrim mjaft kritik dhe ka sulmuar ashpër marrëveshjen dhe planet e Jared Kushner për projektin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri.
Gjatë fjalimit të tij në kuadër të fushatës elektorale të vitit 2026, Ossoff u ndal specifikisht te ky projekt, duke ngritur akuza për korrupsion dhe konflikt interesi.
Ossoff e ka akuzuar familjen e Donald Trump-it dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, se kanë shfrytëzuar fuqinë dhe pozicionin e tyre politik në Uashington për të siguruar miliarda dollarë nga liderë të huaj për investime private, duke përmendur specifikisht resortin luksoz të Sazanit në Shqipëri.
Ai e ironizoi Kushnerin duke thënë se Trump e dërgoi dhëndrin e tij si një “princ” që të “luante rolin” e negociatorit në Lindjen e Mesme “pavarësisht se kishte zero kualifikime”, ndërkohë që paralelisht siguronte fonde dhe marrëveshje për projekte si ky në Shqipëri.
Ossoff vuri në dukje se ky projekt ka ngjallur rezistencë të madhe qytetare, duke u shprehur se planet e Kushnerit frymëzuan “revolucionin e flamingove” apo protestat masive mjedisore në Tiranë dhe Vlorë kundër ndërtimit në zona të mbrojtura.
Senatori Ossoff, i njohur për sfondin e tij si ish-gazetar investigativ, ka paralajmëruar se këto marrëveshje dhe investime jashtë shtetit do të përballen me një kontroll të rreptë të Kongresit. Ai deklaroi se personat e përfshirë në këto afere do të detyrohen “të ngrenë dorën e djathtë dhe të betohen për të thënë të vërtetën përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara”.
Për Ossoff-in, marrëveshja e Sazanit dhe Zvërnecit shihet si një shembull i pastër i asaj që ai e konsideron si gërshetim të rrezikshëm të diplomacisë shtetërore me biznesin privat familjar./ Zoom.al
Eurodeputetja gjermane akuza Ramës nga protesta, zbulon edhe një prapaskenë nga Brukseli