Aplikacion
Një i dyshuar është vënë në kërkim nga policia italiane për masakrën e ndodhur mbrëmjen e së premtes në një apartament në rrugën “Via Montiglio”, në zonën Pineta Sacchetti të Romës, ku u vranë me thikë një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre 6-vjeçare.
Viktimat janë identifikuar si 39-vjeçari Kamal Uddin, bashkëshortja e tij Hosnejahan Momotaj dhe vajza e tyre Arowa. Të tre ishin me origjinë nga Bangladeshi dhe nuk rezultonin me precedentë penalë. Policia po kërkon një mik të familjes, gjithashtu shtetas bangladeshas, i cili konsiderohet i dyshuari kryesor për krimin.
Nga sulmi mbijetoi djali 20-vjeçar i çiftit, i cili u plagos me thikë në bark. Ai arriti të dilte në rrugë duke kërkuar ndihmë dhe u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Djali kishte një plagë në bark dhe humbte shumë gjak. Ishte shtrirë në mes të rrugës dhe bërtiste për ndihmë. Pak më vonë mbërriti ambulanca”, rrëfeu një banor i zonës, duke shtuar se dhjetëra fqinjë dolën jashtë pasi dëgjuan britmat.
Hetuesit e Skuadrës Mobile po analizojnë rrethin e njohjeve të familjes, ndërsa janë marrë në pyetje fqinjë, të afërm dhe miq. Po verifikohen gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonat celularë të viktimave për të rindërtuar orët e fundit para krimit. Një nga pistat kryesore është se familja mund t’ia ketë hapur vetë derën autorit.
Gjatë kontrollit në banesë, policia sekuestroi një hanxhar, që dyshohet të jetë arma e përdorur në vrasje. Ndërkohë, rreth 100 metra larg pallatit u gjet edhe një bluzë me njolla gjaku në një parking privat. Ajo është sekuestruar dhe do t’i nënshtrohet analizave nga policia shkencore.
Ngjarja ka tronditur banorët e lagjes Casalotti, ku Kamal Uddin njihej nga të gjithë. Ai punonte prej vitesh pranë një supermarketi, ku ndihmonte klientët të paketonin dhe transportonin blerjet.
Pas tragjedisë, komuniteti ka nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve në ndihmë të djalit 20-vjeçar, i vetmi i mbijetuar i familjes. Banorët e përshkruajnë Kamalin si një njeri punëtor dhe të sjellshëm, që kishte bërë shumë sakrifica për të ribashkuar familjen në Itali. Sipas tyre, bashkëshortja dhe vajza e vogël kishin mbërritur në Itali më pak se një vit më parë.
“Mbytu në turp”/ Çfarë tha Iris Luarasi për Onkologjikun që zemëroi rrjetin. Reagimet