zoom

Bota

Izraeli dhe Libani nënshkruajnë marrëveshje kornizë të paqes, Netanyahu: Goditje për Iranin! Hezbollahu e dënon

Izraeli dhe Libani nënshkruajnë marrëveshje kornizë të paqes, Netanyahu: Goditje për Iranin! Hezbollahu e dënon

Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Libani nënshkruan një marrëveshje trepalëshe në fund të raundit të pestë të bisedimeve diplomatike në Uashington, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajonin e Lindjes së Mesme.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e cilësoi marrëveshjen si fillimin e një procesi të gjatë diplomatik, duke theksuar se ende ka shumë punë përpara.

“Ky është fillimi i fillimit. Ka ende shumë punë për të bërë. Sot është hapi i parë. Hapi i parë ndonjëherë është më i vështiri”, u shpreh Rubio.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e vlerësoi marrëveshjen si një arritje të rëndësishme për sigurinë e Izraelit, duke theksuar se do të jenë të pranishëm në jug të Libanit. Ai gjithashtu e cilësoi marrëveshjen si një goditje ndaj Iranit, duke nënvizuar se ajo përfaqëson një mesazh të përbashkët nga SHBA, Izraeli dhe Libani.

“Negociatat ishin të gjata dhe sot ato dhanë fryte. Gjëja më e rëndësishme është që Izraeli të mbetet në zonën e sigurt në Libanin jugor. Kjo është një arritje e madhe dhe ne do ta ruajmë atë derisa Hezbollahu të çarmatoset, për sa kohë që ekziston rreziku për Shtetin e Izraelit. Kjo është gjithashtu një goditje e rëndë për Iranin. Dhe në thelb, Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara po u thonë atyre: nuk është puna juaj”, tha Netanyahu për marrëveshjen kornizë.

Ndërkohë Parlamentari libanez i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, lëshoi një deklaratë mbi nënshkrimin e marrëveshjes kornizë në Uashington, duke shkruar:

“Ne riafirmojmë qëndrimin e Hezbollahut, i cili hedh poshtë negociatat e drejtpërdrejta me armikun izraelit. Ne paralajmërojmë kundër paragjykimeve politike dhe të sigurisë të negociatave, të cilat minojnë sovranitetin e Libanit dhe shkaktojnë përçarje të brendshme të rrezikshme.”/ Zoom.al