zoom

Aktualitet

Media evropiane: Shqipëria rrezikon pritjen e Samitit të NATO-s në vitin 2027

Media evropiane: Shqipëria rrezikon pritjen e Samitit të NATO-s në vitin 2027

Shqipëria mund të humbasë mundësinë për të pritur samitin e NATO-s në vitin 2027, sikurse është parashikuar, nëse nuk tregon përparim të mjaftueshëm drejt përmbushjes së objektivit të aleancës për shpenzimet e mbrojtjes prej të paktën 2% të PBB-së, raporton Euronews.

Rrjeti televiziv, me seli në Francë, citon burime diplomatike të cilët thonë se eventi mund të shtyhet nëse vendi ynë nuk bën përparim në shpenzimet e mbrojtjes.

“Shqipëria pritet të jetë organizatore e samitit në vitin 2027, por burimet thonë se eventi mund të shtyhet nëse vendi nuk tregon përparim drejt tejkalimit të pragut të shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës prej 2 përqind të PBB-së. Por edhe anëtarë të tjerë si Spanja, Italia dhe Çekia shihen si “të prapambetur”, me Belgjikën që e ka përmbushur vetëm kohët e fundit objektivin e shpenzimeve.”, thuhet në artikullin e Euronews.

Sipas medias evropiane, deklarata ose konkluzionet përfundimtare që do të publikohen në fund të samitit të korrikut nuk përcaktojnë ende një takim tjetër të tillë në vitin 2027. Zyrtarët e NATO-s, përfshirë Mark Rutte-n, thuhet se po e rishqyrtojnë të ardhmen e këtij eventi vjetor në një përpjekje për të shmangur përplasjet me administratën gjithnjë e më agresive të Trump.

Aleatët do të takohen për samitin vjetor në Ankara të Turqisë më 7-8 korrik, ku axhenda do të përqendrohet kryesisht në shpenzimet e aleatëve për sigurinë evropiane dhe arktike, si dhe në nevojën për të rritur ndjeshëm prodhimin e mbrojtjes.

SHBA-të presin të shohin prova të angazhimit të vendeve të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5 përqind të PBB-së deri në vitin 2035, pas një marrëveshjeje për të rritur pragun e shpenzimeve që u arrit në samitin e vitit të kaluar në Hagë./ Zoom.al