Aplikacion
Një 26-vjeçar shqiptar është vendosur në arrest shtëpie në Itali, pas një ngjarjeje të rëndë që përfundoi me vdekjen e një oficeri të policisë lokale në Milano.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një ndjekjeje me shpejtësi të lartë, e cila përfundoi tragjikisht për efektivin 39-vjeçar Francesco Imprezzabile, i cili humbi jetën pasi ra nga motori.
Sipas hetimeve paraprake, i riu nuk iu bind një sinjali ndalimi të policisë, duke shkaktuar nisjen e ndjekjes. Gjatë kësaj situate, oficeri humbi kontrollin dhe u rrëzua nga motoçikleta, duke pësuar plagë fatale.
I arrestuari, i identifikuar si Genti Berisha, është nën akuzë për shkaktim vdekjeje nga pakujdesia dhe shmangie nga kontrolli policor. Ai ka pranuar përgjegjësinë gjatë marrjes në pyetje dhe ka shprehur keqardhje për ngjarjen, duke e cilësuar veprimin e tij si të nxituar dhe të pamenduar.
Avokati i tij ka deklaruar se klienti i tij ka kërkuar falje disa herë dhe ka pranuar se nuk e kishte kuptuar pasojën e plotë të veprimeve të tij në momentin e ngjarjes. Ai gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të kontribuar në dëmshpërblimin e familjes së viktimës, brenda mundësive të tij ekonomike.
Sipas dëshmisë së të riut, ai nuk ishte ndalur në një kontroll policor, pasi kishte me vete lëndë narkotike. Gjatë ndjekjes, ai pretendon se nuk e ka vënë re momentin kur oficeri ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar./ Zoom.al