Aplikacion
Ndërsa njoftonin vendimet e marra në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ministrat u përballën me disa protestues që ishin mbledhur tek Kryeministria, të cilët përsëritën thirrjet për dorëheqje, ndërsa gjithashtu i binin edhe vuvuzelave duke shkaktuar zhurmë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila ishte e para që nisi të fliste, u pyet për veprimin e këtyre protestuesve si edhe të tjerëve që vijojnë të mblidhen prej tre javësh në shesh.
“Përgjigjja ime tregohet me numrin e akteve që prezantuam e kemi miratuar sot në mbledhjen e qeverisë. Jemi në një proces që kërkon vëmendje maksimale. Jemi në një garë me veten për Shqipërinë për ta integruar në BE. Është një kalendar me një numër shumë të madh aktesh që duhet t’i miratojmë deri brenda vitit 2027, të cilat do të na garantojnë që të përmbushim të gjitha kushtet për në BE.
Është një punë e jashtëzakonshme që qeveria dhe administrata publike po bëjnë çdo ditë dhe çdo natë që të përmbushim kushtet. Shoh që janë një numër qytetarësh që janë duke thirrur me zë të lartë ndërkohë unë jam duke folur, por janë 850 mijë qytetarë që kanë zgjedhur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për drejtimin e vendit. Ne i detyrohemi atyre që të përmbushim detyrat për në BE”, tha ajo.
Ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja tha se protesta është një e drejtë demokratike, duke nënvizuar se ai vetë ka qenë i lidhur gjatë gjithë jetës me protestën dhe e konsideron atë një institucion të rëndësishëm në demokraci. Sipas tij, qeveria po analizon dhe reflekton mbi çdo shqetësim të ngritur nga qytetarët, duke pranuar se mund të ketë mangësi në komunikim, informim, dialog apo përfshirje në procesin e vendimmarrjes.
Ai shtoi se ekzekutivi duhet të jetë edhe më kritik ndaj vetes kur është e nevojshme, por theksoi se kjo nuk do të thotë se duhet të ndërpritet puna e qeverisë apo të kërkohet dorëheqja e saj vetëm një vit pasi ka marrë mandatin nga qytetarët.
“Unë jam vetë i lidhur shumë edhe historikisht dhe shpirtërisht gjatë jetës time me protestën si institucion. Në daljet e mia jam matur shumë duke folur edhe se si ne po analizojmë, po reflektojmë në çdo aspekt për çfarë është e mundur dhe çfarë ne kuptojmë se është mangësi komunikimi, informacioni apo diku dialogu e diku dëgjese, mospjesëmarrje apo mospërfshirje që të kemi një proces vendimmarrjeje sa më të mirë për qytetarët tanë. Mund të ketë momente që ne mund të jemi edhe më kritikë ndaj vetes.
Tani të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet kalon përtej meje si Blend, kalon përtej meje si ministër. Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë, por niveli shumë i lartë i pritshmërisë së qytetarëve ndonjëherë nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të justifikonte hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë në këto vite”, tha Gonxhja.
Prej tre javësh po zhvillohen protesta kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Indinjata e qytetarëve nisi si fillim për projektin në Zvërnec dhe dhunës së ushtruar ndaj një protestuesi por tashmë protestat janë zgjeruar deri me largimin e qeverisë./ Zoom.al