Aplikacion
Qytetarët janë mbledhur për të 27-tën ditë përpara Kryeministrisë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama por edhe të gjithë klasës politike. Nga sheshi “Skënderbej”, ku mblidhen në orën 19:00, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Krahas thirrjeve “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, qytetarët i kanë dhënë zë edhe çështjes çame përmes një pankarte me mbishkrimin “Çështja çame kërkon veprim, jo fjalë”, ndërsa sot shënohet 82 vjetori i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.
Protestuesit ritheksuan se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama. Po ashtu ata kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jo partiake dhe me një mandat 12 mujor si dhe ndryshime kushtetuese.
Ata kërkojnë gjithashtu kufizimin e mandatit të kryeministrit jo më shumë se dy mandate, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Ashtu sikurse e kanë bërë “traditë”, pas fjalimeve në bulevard para zyrës së kryeministrit, ku qytetarët përcjellin shqetësimet me të cilat përballen çdo ditë, ata nisin një marshim nëpër rrugët e Tiranës, ndërsa ripërsërisin thirrjet për të rrëzuar qeverinë.
Qytetarët protestojnë prej tre javësh tashmë kundër qeverisë. Shkëndija e revoltës së tyre ishte projekti në Zvërnec, dhe dhuna e ushtruar ndaj njërit prej protestuesve, i cili u tërhoq zvarrë nga roja e sigurisë së një kompanie private. Qytetarët, të indinjuar nga situata, nisën protestat një ditë më pas në kryeqytet, të cilët e zhvendosën fokusin më pas në largimin e kryeministrit Edi Rama./ Zoom.al