zoom

Aktualitet

E rëndë në Milano, polici humb jetën gjatë ndjekjes së dy shqiptarëve

E rëndë në Milano, polici humb jetën gjatë ndjekjes së dy shqiptarëve

Një operacion policor në periferi të Milanos ka përfunduar në tragjedi, pasi një efektiv i Policisë Lokale humbi jetën gjatë ndjekjes së një automjeti që nuk iu bind urdhrit për ndalim.

Viktima është 39-vjeçari Francesco Imprezzabile, i cili ishte pjesë e forcave të policisë lokale dhe po merrte pjesë në operacionin për kapjen e dy shtetasve shqiptarë që udhëtonin me një automjet tip Audi Q7 me qira.

Sipas mediave italiane, ngjarja nisi mbrëmjen e së hënës në zonën e Ponte Lambros, ku drejtuesi i automjetit refuzoi të ndalonte në një kontroll policor dhe u largua me shpejtësi të madhe.

Menjëherë pas largimit të automjetit, policia nisi ndjekjen. Efektivi Imprezzabile po lëvizte me motorin e shërbimit dhe mbështetej nga patrulla të tjera të Policisë Rrugore.

Ndjekja vijoi për disa kilometra në drejtim të zonës së Peschiera Borromeo, ndërsa rreth orës 21:00 ndodhi aksidenti fatal në rrugën “Via Milano”, pranë aeroportit të Linate-s.

Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, polici humbi kontrollin e motorit dhe u rrëzua. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit Niguarda të Milanos, por mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën.

Të nesërmen, autoritetet gjetën automjetin e braktisur në zonën e Pioltellos, rreth 10 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti. Pas operacioneve të zhvilluara nga policia, drejtuesi i mjetit dhe një person tjetër u lokalizuan dhe u ndaluan në provincën Monza e Brianza.

Hetimet po përqendrohen tashmë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Prokuroria e Milanos po shqyrton disa pista, përfshirë mundësinë e një kontakti mes motorit të policit dhe automjetit në arrati, por edhe dyshimet për një goditje të qëllimshme./ Zoom.al

Postime të lidhura