Aplikacion
Deklarata e deputetes socialiste Iris Luarasi se “mjekësia shqiptare nuk është vetëm Onkologjiku” ka vijuar të ngjallë reagime të forta.
Pas studiueses Sonila Boçi Pepivani, kritikave iu bashkua edhe gazetari Osman Stafa, i cili hodhi poshtë deklaratat e deputetes duke renditur një sërë problematikash që, sipas tij, vazhdojnë të karakterizojnë sistemin shëndetësor shqiptar.
Historiania Sonila Boçi Pepivani, e cila prej vitesh trajtohet si paciente në Onkologjik, solli në vëmendje përvojën e saj personale dhe atë të bashkëshortit, i cili u operua tre vite më parë në Kardiologji. Ajo rrëfeu se tavolina e operacionit u dëmtua pak çaste para ndërhyrjes, ndërsa kushtet në pavijon dhe krevatët, sipas saj, ishin të amortizuar. Gjithashtu, ajo denoncoi pritjet e gjata për ekzaminime, mungesën e medikamenteve, aparaturat jashtë funksionit dhe personelin e pamjaftueshëm.
Ndërkohë, gazetari Osman Stafa deklaroi se problemet nuk kufizohen vetëm te Onkologjiku, por prekin të gjithë sistemin shëndetësor. Ai solli si shembull rastin e një efektivi policie 42-vjeçar, i cili, sipas tij, mbeti i paralizuar pasi në spital mungonte aparatura për kryerjen e trombektomisë, një ndërhyrje jetike në rastet e goditjeve në tru.
Stafa ngriti shqetësimin edhe për kapacitetet e kufizuara të Reanimacionit Qendror në QSUT, duke thënë se ka vetëm 30 shtretër për të gjithë vendin. Sipas tij, pacientët shpesh detyrohen të presin derisa të lirohet një vend, ndërsa përmendi edhe situatën në Spitalin Francez, ku, sipas gazetarit, rreth 3 mijë pacientë presin për vendosjen e lenteve dhe për një periudhë prej një viti e gjysmë kanë munguar lentet.
Ai akuzoi politikën se po bën propagandë me shëndetësinë, ndërsa realiteti në spitale, sipas tij, është krejt tjetër.
“Onkologjiku na ka nxjerrë fytyrën dhe duhet të keni turp kushdo në Kuvend që nuk ngre zërin për të sëmurët me kancer dhe pacientët e tjerë që humbin jetën në spitalet shqiptare. Hajde ua vërtetoj me dokumente, me fakte dhe me prova”, u shpreh Stafa.
Gazetari shtoi se problemi nuk lidhet vetëm me mjekët, por me sistemin që, sipas tij, i ka krijuar kushtet për abuzime dhe pagesa nën dorë. Ai deklaroi se shumë shqiptarë po zgjedhin të kurohen jashtë vendit, kryesisht në Itali, për shkak të mungesës së besimit te shërbimi shëndetësor në Shqipëri.
Në fund, Stafa i bëri një sfidë publike përfaqësuesve të qeverisë, duke i ftuar të ballafaqojnë deklaratat e tyre me faktet që, sipas tij, dëshmojnë gjendjen reale të sistemit shëndetësor shqiptar.
“Mbytu në turp”/ Çfarë tha Iris Luarasi për Onkologjikun që zemëroi rrjetin. Reagimet