zoom

Aktualitet

Dërgonin pacientët e Onkologjikut tek privati/ Dërgohen për gjykim zyrtarë e mjekë të QSUT, mes tyre edhe zv. drejtoresha

Dërgonin pacientët e Onkologjikut tek privati/ Dërgohen për gjykim zyrtarë e mjekë të QSUT, mes tyre edhe zv. drejtoresha

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, mes tyre drejtues, mjekë dhe specialistë të Spitalit Onkologjik në QSUT, si dhe një administrator kompanie farmaceutike, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Tregtim të mallrave kontrabandë”.

Të pandehur në këtë çështje janë: Emiljano Lela, Alketa Pere, Brikena Qirjazi, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florian Marku.

Fillimisht, dosja është referuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për vlerësim kompetence, por më pas është kthyer në Prokurorinë e Tiranës, duke u veçuar një pjesë e hetimit në ngarkim të një mjeku onkolog për veprën penale të “korrupsionit pasiv”.

Hetimet e procedimit penal nr. 5071 të vitit 2023, të kryera në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, kanë evidentuar raste ku pacientë onkologjikë janë orientuar drejt klinikave private për trajtime që duhet të ofroheshin falas në sistemin publik, kundrejt pagesave të fryra.

Prokuroria ka konstatuar gjithashtu problematika me funksionimin e aparaturës së Kobalto-terapisë në QSUT, e cila sipas standardeve duhet të operojë në kushte të posaçme sigurie, por që nuk është vënë në përdorim sipas kërkesave teknike dhe ka qëndruar jashtë funksionit për një periudhë të gjatë.

Sipas hetimeve, disa prej të pandehurve kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme në orientimin e pacientëve drejt sektorit privat, duke përfituar pagesa të parregullta, ndërsa janë konstatuar edhe shkelje në administrimin financiar të një klinike private, përfshirë mungesë faturimi dhe punësim të paregjistruar të stafit mjekësor.

Në një rast tjetër, një administrator farmaceutik akuzohet për tregtim të një bari të dyshuar kontrabandë, pa pullë fiskale dhe me elementë të dëmtuar identifikues.

Prokuroria thekson se provat e mbledhura mbështesin akuzat e ngritura dhe çështja tashmë do të shqyrtohet nga gjykata kompetente.

Postime të lidhura