zoom

Aktualitet

Gjykata rrëzon padinë e Veliajt ndaj prokurorit Dado

Gjykata rrëzon padinë e Veliajt ndaj prokurorit Dado

Pas disa seancash, Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj ndaj prokurorit Ols Dado.

Togat e zeza argumentuan se Veliaj ka interes të tërthortë dhe jo të drejtpërdrejtë në çështje, ndërsa vendosën të mos pranojnë Shoqatën “Asociacioni Media për Drejtësi” si palë kryesore në proces.

Veliaj kërkoi shfuqizimin e dekretit të presidentit që ka emëruar Dadon si prokuror në vitin 2008. Ai pretendonte se në atë kohë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për marrjen e statusit të magjistratit.

“Është evidente që po i krijohet asimetri një pale po i shtohen palët paditësit dhe të paditurit po i largohen. Të njëra palë shtohen aktorët që kanë interes publike dhe palës tjetër po i reduktohen. Për 540 ditë kryetari i bashkisë është rrëmbyer nga detyra e tij dhe nga familja e tij, një njëri që ka veshur uniformen e shteti por që se ka tagrin dhe më ka rrëmbyer nga detyra.

Pesha juaj i nderuar gjyqtar është për të rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia. Unë dy beteja i fitova në gjykatën kushtetuese pa shkuar ende në Strasburg. Një noter që nuk ka bërë magjistraturën, nuk mund të jete prokuror. Ky nuk është me një vend qokash, dikush nuk mund vesh uniformën e dikujt tjetër dhe të ushtrojë një funksion të caktuar. Kushdo palë që tregon interes kontribuon në këtë gjykim”, u shpreh ai gjatë seancës së sotme.

Ndërkohë, avokati Plarent Ndreca, deklaroi për gazetarët se “pavarësisht se ishte test për sistemin, vendimi pritej”.

“Nuk na u dha mundësia as që të flasim, sistemi dështoi të vetë-korrigjohej“, theksoi ai.

Theksojmë se prokurori Ols Dado është pjesë e hetimit penal ndaj Veliajt, çështje që po ndiqet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Në sallë munguan përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Avokaturës së Shtetit. Ndërkohë u paraqit një zonjë e cila ka bërë kërkesë që të vijë në sallë si përfaqësuese e zotit Veliaj, por rezulton se ajo nuk ka licencë avokati.

Asnjëra nga palët nuk e njeh zonjën. Gjykata theksoi që do të referojë çështjen në organet kompetente.

Postime të lidhura