Aplikacion
Përballja ligjore mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe prokurorit Ols Dado ka hyrë sot në fazën e shqyrtimit në Gjykatën Administrative.
Në qendër të procesit është padia e Veliajt për shpalljen e paligjshëm të dekretit të Presidentit të Republikës që emëroi Ols Dadon në detyrën e prokurorit.
Ndërsa në sallën e gjyqit mungojnë përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Avokaturës së Shtetit.
Gjatë seancës, avokati i Veliajt, Ndreca, ka kërkuar ndërhyrjen kryesore në proces të Shoqatës për Media dhe Drejtësi, duke argumentuar se kjo shoqatë ka interes të drejtpërdrejtë në rezultatin e gjykimit.
Sipas avokatit, Kodi i Procedurës Civile u jep të drejtën subjekteve që kanë interes në një çështje që të kërkojnë të marrin pjesë si palë në proces.
“Shoqata ka identifikuar se përfundimi i këtij gjykimi lidhet drejtpërdrejt me interesat e saj. Kërkesa e shoqatës për ndërhyrje kryesore në gjykim duhet pranuar.
Kodi i Procedurës Civile parashikon që çdo subjekt mund të ndërhyjë si palë në një proces gjyqësor, nëse ka interes për çështjen”, deklaroi Ndreca.
Gjatë seancës, Veliaj ka pretenduar se në proces është krijuar një “asimetri” për shkak të mungesës së disa institucioneve. Ai u shpreh se çështja lidhet me mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë dhe përsëriti pretendimin se emërimi i Ols Dados nuk është bërë në përputhje me rregullat.
“Është evidente që po krijohet asimetri. Një pale po i shtohet interesi publik, të paditurit po i largohen të tjerët, KLP dhe Avokati i Shtetit. Ose KLP nuk tregon respekt për këtë gjykatë, ose ka kuptuar atë që di gjithë Shqipëria që Ols Dado nuk është prokuror dhe kryebashkiaku është arrestuar.
Mandati i kryetarit të bashkisë nuk mund të trajtohet si plaçkë. Dikush ka veshur uniformën e shtetit dhe më ka rrëmbyer nga zyra. Kjo shoqatë e legjitimuar, pesha juaj i nderuar është për të rikthyer besimin te drejtësia.
Nëse dikush mund të vishet si polic apo si prokuror në këtë teatër, merr në qafë një qytet të tërë. Unë dy fitore i kam marrë edhe pa shkuar në Strasburg. Nëse më rrëmbyen mua, mund të rrëmbejnë këdo tjetër.”
Gjykata po shqyrton kërkesat procedurale të palëve, ndërsa më pas pritet të vendosë për vijimin e shqyrtimit të çështjes në themel.