Aplikacion
Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi, ka publikuar pamje nga situata në Grykën e Skoranës, pranë Shpellës së Zezë dhe fshatit Pëllumbas, duke akuzuar qeverinë se ka lejuar ndërhyrje që kanë dëmtuar mjedisin në këtë zonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi pretendoi se ndërtimi i një hidrocentrali në rrjedhën e mesme të lumit Erzen ka sjellë pasoja për ekosistemin dhe peizazhin natyror.
“Sot isha në Grykën e Skoranës, në rrjedhën e mesme të lumit Erzen, pranë Shpellës së Zezë dhe fshatit Pëllumbas. Është një nga perlat natyrore të Tiranës dhe një prej destinacioneve më të bukura të vendit. Fatkeqësisht, sot nuk mund të themi më se është një perlë e natyrës; duhet të themi se ishte”, shkroi Bardhi.
Deputeti demokrat akuzoi qeverinë se ka vendosur, sipas tij, interesat private mbi mbrojtjen e pasurive natyrore, duke kërkuar një model tjetër qeverisjeje që vendos në plan të parë mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
“Ndërtimi i një hidrocentrali në këtë zonë ka sjellë pasoja të rënda për ekosistemin dhe peizazhin. Ajo që shohim nuk është një fatkeqësi natyrore, por pasojë e një modeli qeverisës”, deklaroi Bardhi.
Postimi i plotë:
Edhe këtë algoritmi i Ramës do e nxjerrë fake! Por e vërteta nuk mbytet me propagandë!
Sot isha në Grykën e Skoranës, në rrjedhën e mesme të lumit Erzen, pranë Shpellës së Zezë dhe fshatit Pëllumbas. Është një nga perlat natyrore të Tiranës dhe një prej destinacioneve më të bukura të vendit. Fatkeqësisht, sot nuk mund të themi më se është një perlë e natyrës; duhet të themi se ishte.
Ndërtimi i një hidrocentrali në këtë zonë ka sjellë pasoja të rënda për ekosistemin dhe peizazhin. Në videon e realizuar sot duken qartë dëmet e shkaktuara nga ky investim privat, i cili është zhvilluar me leje nga qeveria.
Ajo që shohim nuk është një fatkeqësi natyrore. Është pasojë e një modeli qeverisës që, sipas meje, ka vendosur interesat e ngushta përpara mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe pasurive publike. Kur mungojnë përgjegjësia dhe transparenca, humbës janë gjithmonë qytetarët dhe natyra.
Pasuritë natyrore të Shqipërisë dhe destinacionet tona turistike nuk duhet të trajtohen si mall për t’u shfrytëzuar pa kriter. Ato duhet të mbrohen për brezat që do të vijnë.
Ka ardhur koha të ndryshojmë këtë model qeverisës dhe të kërkojmë një qeverisje që vendos në plan të parë interesin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Rama në shitje, jo Shqipëria!”