Aplikacion
Ndërsa Tirana “zien” prej tre javësh nga protestat të nxitura nga projekti në zonën e Zvërnecit, qeveria nxitoi të mbulonte një tjetër skandal dhe krim mjedisor.
Këtë herë bëhet fjalë për ujërat termale të Bënjës, një nga atraksionet më turistike të zonës së Përmetit.

Fotot e publikuara në rrjetet sociale, ku disa prej vaskave kurative dukeshin të boshatisura, plot alga dhe me shumë pak ujë, ngritën dyshime për cilësinë e investimeve që po kryhen dhe ndikimin e këtyre ndërhyrjeve në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit.

Megjithatë, qeveria nxitoi të sheshojë një reagim tjetër të mundshëm të qytetarëve, tashmë të revoltuar për atë që ndodhi në Zvërnec. Drejtuesja politike e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, njëkohësisht ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro publikoi disa fotografi nga vaskat termale, që ofrojnë një pamje kret ndryshe nga ato të publikuara një ditë më parë dhe që shkaktuan shqetësim te banorët e zonës dhe frekuentuesit e vaskave termale.
Kumbaro tha se nuk bëhet fjalë për tharje të ujërave termale, ndërsa u justifikua me faktin se është një proces testimi pasi punimet në zonë nuk kanë përfunduar ende. Kumbaro pretendoi se boshatisja e vaskave është pjesë e provave teknike për prurjet e ujit dhe nivelin e tyre, ndërsa theksoi se vaskat po mbushen përsëri në mënyrë të kontrolluar nga inxhinierët.

“Nuk është thënë ASNJËHERË që kantieri ka përfunduar, sepse janë duke u bërë testimet e nevojshme me prurjet e ujit, nivelin e vaskave, dhe boshatisja e herëpashershme e vaskave është pjesë e këtij procesi. Sa flasim, vaskat po mbushen sërish, në mënyrë të kontrolluar, sepse inxhinierët (ata të vërtetët, jo gjithologët) e dinë saktësisht se si kryhet kjo punë,”-ka shkruar ajo.
Shënjestroi gjithashtu kritikët, duke thënë se po spekulojnë mbi situatën dhe se po përpiqen të dëmtojnë imazhin e Bënjës dhe të Përmetit.
“Prej ditësh dëgjoj e lexoj turlilloj komentesh mbi banjat e Bënjës në Përmet, me një dëshirë malinje, jo vetëm për të bërë si ekspertë që nuk jemi, por edhe për të nxirë një destinacion të jashtëzakonshëm, ku njerëzit janë shpirtbardhë, punëtorë e krijues si rrallëkund – dhe këtu e kam fjalën për përmetarët që më kanë dhënë mësimet më të vyera në jetë e me të cilët kemi ndërtuar e bërë aq shumë punë – për ta bërë Përmetin destinacionin e preferuar, pikërisht atë Përmet që deri para 7-8 vitesh, përveç përmetarëve që riktheheshin te familjet, apo ndonjë zyrtari që shkonte me shërbim, nuk i shkonte mendja njeriu ta shkelte! As tabelë tek Ura e Leklit nuk kishte në vitin 2015 që të tregonte se ku binte Përmeti!”, shtoi ajo.
Postimi në fjalë është shoqëruar me reagime të shumta në rrjet.




Si për të rrëzuar propagandën e ngritur, gazetarja Alma Çupi publikoi pamje nga llixhat përmes një videoje të xhiruar dje pasdite.
“Llixhat e Benjes gjate punimeve iu jane ngacmuar burimet. Mbi to eshte hedhur beton dhe sidomos mbi burimet e vogla jane bere rruge dhe shkalle. Sot eshte prere nje pjese e murit pasi ndodhi qe uji u qelb dhe nuk kishte qarkullim. Keto ujera jane kurative, krejtesisht natyrale dhe nderhyrja njerezore e jo e studiuar si duhet natyrisht nuk kalon pa pasoja. Video eshte bere sot mbasdite vone,”- shkruan ajo.
Videon e gjeni KËTU./ Zoom.al
“Mbytu në turp”/ Çfarë tha Iris Luarasi për Onkologjikun që zemëroi rrjetin. Reagimet