zoom

Aktualitet

Biznesmenët e preferuar të Erion Veliajt rrihen mes Tiranës. Mirton Lika kallëzon penalisht Nadir Çaushollin

Biznesmenët e preferuar të Erion Veliajt rrihen mes Tiranës. Mirton Lika kallëzon penalisht Nadir Çaushollin

Mesditën e 6 korrikut 2026, një konflikt fizik mes biznesmenëve Mirton Lika dhe Nadir Çausholli u regjistrua pranë Sky Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë. Ngjarja, e cila u zhvillua në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, përfundoi me përplasje fizike dhe ndërhyrjen e personave të pranishëm për të ndarë palët.

Sipas kallëzimit penal të depozituar nga Mirton Lika në Komisariatin nr. 2, konflikti nisi pasi ai kërkoi dokumentacionin që lidhej me vendosjen e një pike karikimi për automjete elektrike pranë objektit të tij. Sipas të njëjtit kallëzim, debati me Nadir Çaushollin u përshkallëzua nga një shkëmbim fjalësh në përplasje fizike, ku pretendohet se pati goditje dhe tentativa për sulm.

Pamjet filmike të publikuara nga vendngjarja tregojnë momentet e konfliktit dhe ndërhyrjen e personave të tjerë për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Lika dhe Çausholli janë emra të njohur në botën e biznesit. Nadir Çausholli është pronar i CFO Pharma dhe ka interesa edhe në sektorin e transportit urban përmes Green Line, ndërsa Mirton Lika njihet për investimet e tij në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë, përfshirë Sky Tower dhe Sky Hotel.

Të dy biznesmenët janë përmendur ndër vite në debatet publike dhe politike për afërsinë e tyre me administratën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, veçanërisht në lidhje me projektet urbane, lejet e zhvillimit dhe aktivitetet ekonomike në kryeqytet.

Postime të lidhura