Aplikacion
Një histori e jashtëzakonshme mbijetese vjen nga Venezuela, ku një vajzë 12-vjeçare arriti të qëndrojë gjallë për 32 orë nën rrënojat e pallatit të shembur nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.5 që goditi vendin më 24 qershor.
Fabiana, e cila ndodhej e vetme në apartament kur nisën lëkundjet, u bllokua mes betonit pasi ndërtesa u shemb. Ajo tregoi se në momentet e para mendoi se nuk do të dilte më e gjallë, por vendosi të mos humbiste shpresën.
Nëna e saj, Karina Blanco, rrëfen se sapo kuptoi fuqinë e tërmetit u nis menjëherë drejt shtëpisë. Kur mbërriti, ndërtesa ku jetonin ishte kthyer në një grumbull rrënojash dhe ajo besoi se kishte humbur vajzën.
E bllokuar në një hapësirë shumë të ngushtë, Fabiana arriti të ruante qetësinë, pavarësisht se vuan nga ankthi dhe klaustrofobia. Pas disa orësh, një infermiere e mbetur gjithashtu nën rrënoja dëgjoi zërin e saj, e inkurajoi të mos dorëzohej dhe, pasi u shpëtua, njoftoi ekipet e kërkim-shpëtimit se vajza ishte ende gjallë.
Gjatë kohës që priste ndihmë, 12-vjeçarja gjeti telefonin e saj, por nuk kishte sinjal për të kontaktuar me familjen. Ajo regjistroi një video ku kërkonte ndihmë dhe përshkruante situatën dramatike në të cilën ndodhej.
Për të mbijetuar, Fabiana konsumoi një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë që gjeti mes rrënojave. Sipas saj, ato e ndihmuan të ruante energjinë dhe të qëndronte e vetëdijshme deri në mbërritjen e ekipeve të shpëtimit.
Një vullnetar dëgjoi zërin e saj dhe njoftoi zjarrfikësit. Pas disa përpjekjeve, ekipet e shpëtimit arritën të hapnin një tunel dhe ta nxirrnin të gjallë pas 32 orësh nën rrënoja.
Nga rreth 50 banorë që ndodheshin në pallatin ku jetonte familja e saj, vetëm tre persona u shpëtuan me jetë. Fabiana pësoi vetëm një frakturë në këmbën e majtë dhe disa lëndime të lehta, ndërsa aktualisht po rikuperohet pranë familjes së saj.
Ndërkohë, autoritetet venezueliane raportojnë se bilanci i viktimave nga tërmeti ka arritur në 3.342 persona, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur./ Zoom.al