Aplikacion
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë një sipërfaqe me barishte në fshatin Koxhas, në Fushë-Shijak, duke shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve përgjatë autostradës Durrës–Tiranë.
Flakët, të ndihmuara nga era, kanë përhapur një re të dendur tymi mbi aksin rrugor, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Si pasojë, në segmentin nga Vora drejt Durrësit është krijuar një trafik i rënduar me radhë kilometrike automjetesh.
Në terren ndodhen pesë mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Deri në këto momente nuk raportohen banesa apo objekte të rrezikuara nga zjarri, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment rrugor./ Zoom.al