zoom

Aktualitet

SPAK vë nën hetim Lorena Goxhobellin, dyshime për korrupsion në Kadastër

SPAK vë nën hetim Lorena Goxhobellin, dyshime për korrupsion në Kadastër

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, është vënë në qendër të hetimeve nga SPAK, në kuadër të një procedimi që përfshin edhe zyrtarë të tjerë të institucionit.

Hetimet lidhen me dyshime për korrupsion, tjetërsim pronash, legalizime të kundërligjshme dhe manipulim të dokumentacionit në proceset e administrimit të pasurive të paluajtshme. Prokurorët po verifikojnë nëse vendimmarrje administrative kanë favorizuar regjistrime pronash në kundërshtim me ligjin.

Goxhobelli është përfshirë në verifikimet e SPAK-ut, megjithatë, deri në këtë fazë nuk është bërë publik asnjë vendim për ndonjë masë sigurie apo akuzë zyrtare ndaj saj.

Paralelisht me hetimet, SPAK ka ndërmarrë edhe veprime konkrete në terren, duke vendosur sekuestro mbi disa prona në zonën e Livadhit, në Himarë. Në fokus të verifikimeve janë gjithashtu disa drejtori të Kadastrës në qarqe të ndryshme të vendit, ku dyshohet për abuzime me regjistrimin dhe legalizimin e pronave.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe denoncime të mëparshme që flasin për kalimin e pronave të qytetarëve në emër të personave të tjerë me ndihmën e zyrtarëve të ASHK-së.

Skemat korruptive në Kadastër dhe shtrirja e ndikimit të grupeve kriminale mbi pronat e shqiptarëve është evidentuar edhe në raportin vjetor të Prokurorisë së Posaçme për vitin 2025.

“Gjatë vitit 2025, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një rritje të ndjeshme të referimeve që lidhen me shërbimet e regjistrimit të pasurive paluajtshme. Janë identifikuar skema korruptive ku përfshihen zyrtarë të niveleve drejtuese dhe specialistë të ASHK-së, të cilët në bashkëpunim me grupe kriminale, kanë mundësuar mbivendosje pronash dhe legalizime në kundërshtim me ligjin, veçanërisht në zonat me interes të lartë turistik”, theksohet në raportin e SPAK. 

E gjendur përballë këtyre faktevd, burime për Zoom.al kanë konfirmuar më parë se Goxhobelli ka dhënë 3 herë dorëheqjen, por Edi Rama nuk ja ka pranuar./ Zoom.al

Postime të lidhura