Aplikacion
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me koncertin e Kanye West, duke e akuzuar se po kërkon që kostoja e një aktiviteti privat të mbulohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në një reagim në rrjete sociale, Bardhi u shpreh se kur e keqja, arroganca dhe keqqeverisja normalizohen, rënia e shtetit bëhet e pashmangshme.
Sipas tij, është e papranueshme që qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me paga e pensione të ulëta, mungesë ilaçesh në spitale dhe kushte të papërshtatshme në shkolla, të paguajnë për dështimin e një koncerti që, sipas Bardhit, u bojkotua nga publiku dhe nuk arriti të shesë biletat.
Bardhi thekson se fondet e buxhetit të shtetit janë para të qytetarëve dhe nuk mund të përdoren për të financuar aktivitete private.
Në përfundim të reagimit të tij, ai kërkon anulimin e koncertit, duke argumentuar se kjo është zgjidhja e duhur dhe se, sipas tij, një praktikë e tillë është ndjekur edhe në disa vende europiane. Bardhi shton se shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë, përmes taksave të tyre, pasojat e një aktiviteti privat apo të financojnë, sipas tij, përhapjen e urrejtjes.