zoom

Aktualitet

Hipokrizia e qeverisë Rama: 4 milionë euro për Kanye West, ndërsa spitalet kërkojnë fasho

Hipokrizia e qeverisë Rama: 4 milionë euro për Kanye West, ndërsa spitalet kërkojnë fasho

Shteti shqiptar financon me 4 milionë euro për koncertin e Kanye West në Tiranë. Por në fakt, nuk kemi të bëjmë thjesht me organizimin e një eventi artistik. Kemi të bëjmë me një akt politik që tregon qartë se ku i ka vendosur prioritetet kjo qeveri.

Në njërën anë, qytetarët përballen çdo ditë me një sistem shëndetësor që prej vitesh vuan nga mungesa e investimeve. Në spitale raportohen vazhdimisht mungesa të materialeve bazë mjekësore, pajisjeve, barnave, madje edhe të fashove, alkoolit apo materialeve të konsumit të përditshëm. Familjet shpesh detyrohen të blejnë vetë ilaçe dhe materiale që duhet t’i sigurojë sistemi publik, ndërsa mjekët ankohen për kushte pune larg standardeve europiane.

Në anën tjetër, qeveria është e gatshme të mobilizojë burime të konsiderueshme për një koncert disaorësh. Edhe nëse argumentohet se një aktivitet i tillë promovon turizmin dhe imazhin e Shqipërisë, pyetja mbetet e njëjtë: a mund të jetë ky prioriteti i një shteti që ende nuk ka zgjidhur problemet më elementare të shëndetësisë?

Por polemika nuk ndalet vetëm te kostoja. Figura e Kanye West është ndër më të debatueshmet në industrinë globale të muzikës. Ai është përballur me kritika të ashpra pas një sërë deklaratash antisemite dhe komentesh ku shprehu admirim për Adolf Hitlerin, duke shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Për pasojë, kompani të mëdha si Adidas, Gap dhe Balenciaga ndërprenë bashkëpunimin me të, ndërsa shumë organizatorë anuluan koncerte dhe projekte të planifikuara. Edhe në vende të ndryshme europiane, koncertet e tij janë shoqëruar me kundërshtime dhe protesta për shkak të deklaratave të tij.

Këtu lind kontradikta më e madhe politike.

Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama sulmoi protestuesit në Tiranë, duke i etiketuar si “antiizraelitë” dhe duke i lidhur me qëndrime që, sipas tij, cenojnë vlerat demokratike dhe aleancat e Shqipërisë.

Por si mund të denoncosh publikisht individë si “antiizraelitë”, ndërsa në të njëjtën kohë promovon dhe mbështet organizimin e një koncerti të një artisti që është bërë simbol i polemikave botërore pikërisht për deklaratat e tij antisemite?

Nëse antisemitizmi është i papranueshëm, ai nuk mund të dënohet vetëm kur i shërben betejës politike të ditës. Parimet nuk funksionojnë sipas interesit. Ato ose vlejnë për të gjithë, ose nuk vlejnë për askënd.

Edhe nëse Kanye West ka kërkuar falje në disa raste dhe ka deklaruar se dëshiron të ndryshojë qëndrimet e tij, emri i tij vazhdon të mbetet i lidhur me një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit në botën e artit dhe biznesit. Prandaj është legjitime të shtrohet pyetja nëse Shqipëria duhet të investojë fonde publike për promovimin e një figure kaq polarizuese.

Në fund, debati nuk është vetëm për Kanye West. Debati është për modelin e qeverisjes.

Është për një qeveri që gjen para për spektakle, por jo për të zgjidhur problemet kronike të spitaleve; që flet për standarde europiane, ndërsa pacientët përballen me mungesa elementare; që etiketon kundërshtarët politikë si “antiizraelitë”, por nuk sheh asnjë problem në promovimin e një artisti të akuzuar ndërkombëtarisht për antisemitizëm./ Zoom.al

Postime të lidhura