Aplikacion
Lajmi se stadiumi i përkohshëm për Kanye West në Tiranë do të kushtoj 50 mln euro, ka nxitur polemika brenda dhe jashtë vendit.
Një prej tyre që kanë reaguar është akademiku Ermal Hasimja, i cili thekson se Shqipëria është vendi më i varfër në Europë dhe se qeveria shpenzon vetëm për imazh e fasadë.
“Nuk po merrem me çfarë do të ishin bërë me kaq para. Më bën përshtypje përsëritja e të njëjtës filozofi të Rilindjes: krijimi i fasadës për të fshehur përmbajtjen reale. Shqipëria, ky vend me kryeministër piktor, me ministren dixhitale Diella, me satelitë, me fasadat me ngjyra, me kopështin e kryeministrisë, por edhe vendi më i varfër në Europë, më i korruptuari, me arsimin e shëndetësinë më të dobët.
Sa më i hidhur realiteti, aq më e bukur dhe e shtrenjtë fasada!
E vetmja gjë e mirë: kjo filozofi nuk gënjen më askënd.
Shqiptarët e kanë kuptuar dhe do të lëvizin”, shkruan Hasimja.
Reperi West do të vijë në Tiranë më 11 korrik dhe do të performojë në një stadium 60 mijë vendësh, të ngritur enkas për këtë event. Ministria e Kulturës është shprehur se është “detyrimi i saj të mirëpresë dhe të lehtësojë zhvillimin e ngjarjeve të tilla që sjellin përfitime të shumta për turizmin dhe ekonominë”.