Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj kritikave për vendimin e qeverisë për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e Kanye West, duke përdorur fyerje dhe ofendime ndaj qytetarëve që kanë kundërshtuar këtë financim.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Rama i quan “sorra dhe korba” shqiptarët që kanë kritikuar përdorimin e fondeve publike për koncertin, ndërsa i akuzon se po manipulojnë opinionin publik dhe po përhapin pretendime të pavërteta.
Kryeministri mbron vendimin duke argumentuar se fondet u dhanë në minutën e fundit për të shmangur, sipas tij, turpërimin e Shqipërisë përballë rreth 25 mijë të huajve nga 80 shtete që kishin blerë bileta për koncertin. Ai pretendon se eventi do të sjellë rreth 100 milionë euro përfitime për ekonominë dhe turizmin.
Në postimin e tij, Rama vijon me gjuhën fyese, duke i cilësuar kritikët si “zabrahanë digjitalë” dhe duke i lidhur me, sipas tij, “armiqtë dhe dashakëqinjtë e Shqipërisë”, të cilët përhapin “helm” në rrjetet sociale përmes profileve të rreme.
Më tej, kreu i qeverisë rendit një sërë fondesh të miratuara së fundmi për shëndetësinë, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe biznesin, duke kundërshtuar pretendimet se financimi i koncertit ka cenuar buxhetet për shërbimet publike.
Në fund të reagimit, Rama deklaron se ata që kundërshtojnë këtë vendim synojnë të ndalin zhvillimin e vendit, ndërsa shprehet se “Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”.
Postimi i plotë:
👉 4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;
për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.
Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.
Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.
U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.
Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?
Shumë e thjeshtë:
Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!
Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht🇦🇱🦅🇪🇺
39-vjeçari merr peng vëllanë dhe shokun e tij në Tiranë/ Sulmon edhe policinë, detajet