zoom

Aktualitet

4 mln euro për koncertin e Kanye West, Marjana Koçeku: Të investoheshin për parandalimin e zjarreve

4 mln euro për koncertin e Kanye West, Marjana Koçeku: Të investoheshin për parandalimin e zjarreve

Deputetja Marjana Koçeku iu është bashkuar zërave kritikë ndaj fondit prej 4 milionë eurosh të akorduar për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku argumenton se këto fonde do të kishin qenë më të dobishme nëse do të investoheshin në përballimin e rrezikut nga zjarret, forcimin e strukturave të emergjencave civile dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura.

Ajo kujtoi situatën e rëndë të krijuar nga zjarret gjatë vitit të kaluar, duke theksuar se dëmet në pyje dhe mjedis ishin të konsiderueshme. Sipas saj, kushtet klimatike të këtij viti pritet ta bëjnë sezonin edhe më të vështirë, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për përhapjen e flakëve.

Koçeku u shpreh se përdorimi i miliona eurove për një aktivitet njëditor nuk përbën prioritet në një kohë kur vendi ka nevojë për investime në parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe rritjen e kapaciteteve të reagimit.

“Vjet vendi ynë kaloi një katastrofë zjarresh. E kam pa nga afër dëmtimin e jashtëzakonshëm që iu ba natyrës. Këtë vit pritet që situata të jetë edhe ma alarmante për shkak të temperaturave të larta.

4 milionë eurot e nji stadiumi njipërdorimsh do të duhej të ishin investu në parandalimin e zjarreve, në mbështetjen e banorëve dhe në forcimin e kapaciteteve të emergjencave.

Shteti dhe llogaridhania nuk zëvendësohen me spektakël. Humbja e natyrës asht humbje e Shqipnisë”, shkruan Koçeku./ Zoom.al

Postime të lidhura