Aplikacion
Një 21-vjeçar shqiptar po përballet me drejtësinë në Belgjikë, pasi akuzohet për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike. I riu, i identifikuar me inicialet A.K., kundërshton akuzat dhe kërkon rigjykim, pasi më parë ishte dhënë një vendim në mungesë të tij.
Sipas prokurorisë, ai ishte dënuar më 13 shkurt me 15 muaj burg dhe gjobë, por nuk kishte marrë pjesë në procesin gjyqësor. Tashmë çështja është rihapur pas kundërshtimit të vendimit.
Hetimet lidhen me një ngjarje të ndodhur më 3 gusht 2024, kur automjeti që drejtonte 21-vjeçari u ndalua nga policia për një shkelje të rregullave të qarkullimit. Sjellja e tij dhe e pasagjerit ngriti dyshime te efektivët, të cilët gjatë kontrollit zbuluan rreth 140 gramë kanabis të fshehur poshtë sediljes së shoferit.
I riu ka deklaruar se nuk kishte dijeni për drogën, duke pretenduar se pasagjeri ishte personi që e kishte marrë me vete dhe se ai vetëm po i bënte një nder duke e transportuar.
Megjithatë, prokuroria pretendon se analizimi i telefonit celular zbuloi komunikime që, sipas hetuesve, e lidhin atë me një rrjet të shpërndarjes së drogës. Në pajisje u gjetën mesazhe me adresa për dorëzime, si dhe foto e video ku shfaqeshin sasi kanabisi dhe para, ndërsa në një prej tyre dukej edhe vetë i akuzuari.
Nga ana tjetër, mbrojtja paraqiti një version krejt tjetër të ngjarjes. Avokatja deklaroi se klienti i saj punon si berber dhe kishte njohur rastësisht një person që i kishte kërkuar një shërbim, duke i ofruar pagesë. Sipas saj, në momentin e takimit ai përdorte një makinë me qira dhe nuk kishte dijeni për praninë e lëndëve narkotike në automjet.
Vetë 21-vjeçari këmbënguli para trupit gjykues se ushtron profesionin e berberit dhe se ka krijuar klientelën e tij në Antverp. Ai mohoi që telefoni me mesazhet e dyshuara të ishte i tij, duke pretenduar se i përkiste pasagjerit.
Gjatë seancës nuk munguan edhe momentet ironike, kur kryetari i trupit gjykues u shpreh se nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që dikush të porosiste 140 gramë kanabis te një berber.
Gjykata pritet të japë vendimin përfundimtar më 14 korrik, duke vendosur nëse do të lërë në fuqi dënimin e mëparshëm apo do të pranojë argumentet e paraqitura nga mbrojtja./ Zoom.al
39-vjeçari merr peng vëllanë dhe shokun e tij në Tiranë/ Sulmon edhe policinë, detajet