Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë për të akorduar 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për organizimin e koncertit të Kanye West, duke e cilësuar këtë si një shembull të prioriteteve të gabuara në përdorimin e fondeve publike.
Sipas saj, ndërsa qeveria mobilizon miliona euro për një aktivitet kulturor, projektet infrastrukturore me ndikim afatgjatë, si hekurudha Tiranë–Durrës, mbështeten kryesisht nga financime të huaja, ndërsa kontributi i drejtpërdrejtë i shtetit mbetet minimal.
Tabaku deklaroi se vendimi për financimin e koncertit është miratuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave dhe një relacioni buxhetor, ku, sipas saj, argumentohet se fondi synon të garantojë zhvillimin e aktivitetit dhe të sjellë përfitime ekonomike.
Deputetja demokrate theksoi se hekurudha Tiranë–Durrës përfaqëson një investim strategjik për ekonominë shqiptare, pasi lidh kryeqytetin me portin dhe aeroportin, ul kostot e transportit, lehtëson trafikun dhe krijon përfitime afatgjata për qytetarët dhe biznesin.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e financimit të këtij projekti, duke pretenduar se ai është ndarë në disa kontrata dhe hua të veçanta, gjë që sipas saj ka sjellë vonesa dhe rritje të varësisë nga borxhi.
Në reagimin e saj, Tabaku ngriti edhe shqetësime për gjendjen e ekonomisë, nivelin e informalitetit në tregun e punës dhe situatën e pensioneve, duke argumentuar se fondet publike duhet të orientohen drejt investimeve që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
Reagimi i Tabakut:
4.3 milionë euro nga buxheti për të shpëtuar një koncert. Vetëm 1% kontribut vendas për të ndërtuar një hekurudhë jetike. Kjo është ekonomia e fasadës.
Dje, qeveria miratoi një VKM dhe një relacion përmes të cilit i kërkon Kuvendit të votojë 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit për fondet speciale të një koncerti.
Në relacionin buxhetor shkruhet hapur se këto para jepen “për të mos dështuar koncerti”. Efekti i pretenduar shtesë në ekonomi: 20 milionë euro.
Ndërkohë, për hekurudhën jetike Tiranë–Durrës, buxheti i shtetit ka kontribuar me vetëm 1% të financimit të huaj. Një projekt që lidh kryeqytetin me Durrësin, portin dhe aeroportin; që ul trafikun, kostot dhe ndotjen; dhe që mund t’i sjellë ekonomisë shqiptare mbi 200 milionë euro përfitime.
Por hekurudha nuk është fasadë. Nuk prodhon një natë spektakël, fotografi dhe propagandë. Prandaj nuk është përparësi.
Ministri Malaj premtoi se koncerti nuk do t’i kushtonte buxhetit asnjë lek. Por, buxheti i jep 4.3 milionë euro. Ndërsa hekurudhës i jep 1%.
Në komisionet parlamentare, ndërkohë, pothuajse çdo muaj mbërrin një kërkesë e re huaje nga Ministria e Infrastrukturës: një herë për një stacion treni në Tiranë, një herë për elektrifikimin e hekurudhës, megjithëse treni ishte parashikuar elektrik që në fillim, dhe një herë tjetër për lokomotivat.
Një projekt që duhej menduar, projektuar dhe financuar si një i tërë, copëtohet në hua, shtesa dhe kontrata të pafundme. Padije? Aspak! Kështu funksionon sistemi socialist.
Pas kësaj fasade dhe sistemi ndodhet Shqipëria reale.
Sipas INSTAT-it, në vitin 2025 informaliteti në tregun e punës ishte 21.8%, ende mbi mesataren e Bashkimit Europian. Mijëra qytetarë punojnë të padeklaruar ose deklarohen me pagë minimale, ndërsa pjesën tjetër e marrin në dorë.
Ata humbasin kontributet, vitet e punës dhe të drejtën për një pension dinjitoz. Pasoja është dramatike: gati 54% e pensioneve të pleqërisë janë të pjesshme, sepse qytetarët nuk kanë arritur të plotësojnë kushtet për pension të plotë.
Ka 13 vite që ekonomia shqiptare ka marrë tatëpjetën dhe qeveria nuk ka lëvizur as gishtin për të ndryshuar modelin.
Bujqësia është në rënie për të gjashtin vit radhazi. Paraja e pistë ka helmuar tregun. Prokurimet publike janë kthyer në një bursë qokash, të mikromenaxhuara nga Pallati Kryeministror. Produktiviteti ka rënë aq shumë, sa qeveria përpiqet të na bindë se një koncert mund të jetë më i dobishëm për ekonominë sesa hekurudhat, bujqësia, formalizimi apo pensionet.
Moçali ekonomik dhe institucional që ka ndërtuar kjo shumicë ka dëmtuar themelet e vendit.
Prandaj kjo nuk është më çështje e një koncerti por e një modeli.
Një model që financon fasadën dhe lë pas dore ekonominë reale.
Një model që shpëton spektaklin, por jo pensionistin.
Një model që gjen miliona për propagandën, por vetëm borxhe për infrastrukturën.
Një model që punon për pakicën dhe ua ngarkon faturën shumicës.
E vetmja rrugë shpëtimi është largimi i kësaj shumice dhe i kësaj qeverie.
Ndërsa Kuvendi përgatitet të ngrejë dorën për një tjetër rialokim buxhetor që nuk u shërben shqiptarëve, ai po financon fasadën e një arrogance dhe korrupsioni që tashmë nuk përpiqet as ta fshehë fytyrën./ Zoom.al
39-vjeçari merr peng vëllanë dhe shokun e tij në Tiranë/ Sulmon edhe policinë, detajet