Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur inspektimin e stadiumit ku do të përformojë Kanye West në Tiranë, për të sulmuar sërish protestuesit, që prej 38 ditësh dalin në shesh dhe rrugë duke i kërkuar dorëheqjen.
Rama i quajti protestuesit sorra dhe korba bulevardi, ndërsa tha se qeveria do të japë vetëm 4 milionë euro për Kanye West, duke hedhur poshtë pretendimet se janë dhënë dhjetarë e miliona euro.
Sipas kryeministrit evente të tilla janë impakt i menjëhershëm, por edhe i vazhdueshëm ekonomik për vendin.
“Ky është një event i organizuar nga grupi privat, partner shqiptarë gjermanë, turq, që kanë marrë përsipër këtë ndërmarrje kolosale. Shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë që ne të garantojmë që ata mijëra e mijëra njerëz që kanë prerë bileta nga Evropa, Amerika, nga Australia, 80 shtete dhe janë më shumë sesa ata që blenë biletat që erdhën për finalen e Konferencë Ligës. Ky event nëse do mbetej i pa realizuar do ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit. Ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por edhe hap pas hapi. Këto janë evente, sepse bota nuk janë budallenj që organizojnë evente të tilla që kërkojnë një shpenzim në fillim, por janë investime. Investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet dhe nuk kthehet prapa, të hidhen përpjeta ata që nuk duan”, tha Rama.