Aplikacion
Një video virale me pamje të rënda që po qarkullon në rrjetet sociale ku një vajzë e mitur shfaqet duke u dhunuar fizikisht nga dy vajza ndërsa një tjetër filmon të gjithë skenën pa ndërhyrë, ka tronditur mbarë opinionin publik.
Pamjet tregojnë se viktima goditet në mënyrë të përsëritur me shuplaka e grushte dhe tërhiqet zvarrë prej flokësh.
Dy 15-vjeçaret që kanë dhunuar 17-vjeçaren, ishin në shtëpinë e Leonela Lamajt, 19 vjeçe.
Ngjarja është raportuar në Policinë e Fierit, menjëherë pas kallëzimit të 17-vjeçares së dhunuar në datën 8 qershor. Në polici, të tria kanë deklaruar se e kanë rrahur të miturën për motive të dobëta dhe ndaj tyre ka nisur një hetim.
Më 28 qershor, është arrestuar njëra prej 15-vjeçareve të përfshira. Arrestimi u bë pas kallëzimit të nënës , e cila deklaroi se ishte dhunuar prej së bijës. 15-vjeçarja është dërguar për trajtim në spitalin psikiatrik në Tiranë.
Sipas burimeve, paraditen e sotme, drejtuesi i Policisë Fier, Erion Ahmetaj, është parë për më shumë se një orë në ambientet e Prokurorisë, ku mësohet se fokusi i takimit me kryeprokurorin Elion Mustafaj, ka qenë pikërisht zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimi i përgjegjësive ligjore.
Po në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar Prokuroria e qytetit të Fierit.
Organi i akuzës shprehet se ka nisur hetim për ngjarjen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim. Prokuroria kërkon që mediat mos të publikojnë pamjet e dhunës.
“Nisur nga interesi publik i shfaqur pas publikimit në rrjetet sociale dhe në media të një materiali filmik ku shfaqet dhunimi fizik i një shtetaseje të mitur, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier informon opinionin publik se kjo ngjarje është trajtuar menjëherë nga organet ligjzbatuese dhe është aktualisht objekt i një procedimi penal pranë kësaj prokurorie.
Më datë 10.06.2026, Komisariati i Policisë Fier ka referuar materialet procedurale lidhur me një ngjarje të ndodhur më datë 08.06.2026, ku një shtetase e mitur ka kallëzuar se është dërguar në një banesë në qytetin e Fierit dhe më pas është dhunuar fizikisht nga disa shtetase të tjera.
Mbi bazën e materialeve të referuara, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe në funksion të vlerësimit të plotë të të gjitha rrethanave të ngjarjes, si dhe referuar edhe elementeve të tjera penale të dyshuara në lidhje me një të mitur në konflikt me ligjin, Prokuroria i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për caktimin e një mase sigurimi personal, sipas parashikimeve të nenit 239 të Kodit të Procedurës Penale. Lloji i masës së sigurimit është diktuar nga kushtet specifike të rastit dhe të dhënave të marra deri në këto momente të hetimit. Me vendimin e datës 01.07.2026, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurimit ndaj të miturës në konflikt me ligjin, masë e cila vijon të jetë aktualisht në fuqi.
Prokuroria vijon hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësisë penale të çdo personi të përfshirë, si dhe verifikimin e çdo elementi tjetër të mundshëm penal që mund të rezultojë gjatë procesit hetimor, përfshirë mënyrën e realizimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së materialeve filmike në rrjetet sociale.
Duke qenë se në këtë procedim janë të përfshirë persona të mitur, Prokuroria thekson se veprimtaria e saj udhëhiqet nga parimi i interesit më të lartë të fëmijës dhe nga detyrimi ligjor për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e identitetit të të miturit.
Në zbatim të ligjit nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, i cili parashikon mbrojtjen e posaçme të jetës private dhe konfidencialitetit të të dhënave të të miturve në konflikt me ligjin, viktimave dhe dëshmitarëve të mitur, ndalohet publikimi i çdo informacioni, imazhi, të dhëne apo elementi tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre.
Po ashtu, në respektim të ligjit nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, çdo veprim që cenon privatësinë, dinjitetin dhe integritetin e fëmijës bie ndesh me detyrimin për mbrojtjen e interesit më të lartë të tij. Standardet ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është aderuese, kërkojnë që fëmijët e përfshirë në procedime penale, si viktima apo autorë të dyshuar të veprave penale, të mbrohen nga ekspozimi publik dhe nga çdo formë riviktimizimi.
Për këtë arsye, Prokuroria u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe subjekteve mediatike të shmangin publikimin, shpërndarjen dhe ripublikimin e pamjeve filmike apo të dhënave që mund të identifikojnë të miturit e përfshirë në këtë ngjarje, duke respektuar detyrimet ligjore për mbrojtjen e privatësisë, dinjitetit dhe të drejtave të tyre.
Prokuroria do të vijojë të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të mëtejshëm të procedimit penal, në masën që një informim i tillë nuk cenon sekretin hetimor, të drejtat e të miturve dhe garancitë procedurale të parashikuara nga ligji”, njofton Prokuroria Fier.