Aplikacion
“Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm mbi arkitekturën morale të vetë njerëzimit”. – Edi Rama, janar 2026 – Jeruzalem
Nga Zoom.al
“11 korrik në Tiranë”. Edi Rama e promovoi me kaq fjalë koncertin që Kanye West (Ye) planifikon të mbajë në kryeqytetin tonë duke shpërndarë në rrjetet e tij sociale video të Ye me këngën “God Is”.
Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja bëri një postim të gjatë.
Por ndërkohë që metropolet më të rëndësishme të botës po ia mbyllin dyert njëra pas tjetrës për artistit kontrovers, duke e shpallur efektivisht “të padëshiruar” për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe lavdërimeve ndaj figurave naziste, ai tha se në Shqipëri Kanye-t do t’i ndërtohet një stadium i posaçëm.
Tirana shkon kështu ne drejtim të kundërt me Londrën, Parisin, Vashavën, Bratisllavën, Bazelin dhe disa shtete të SHBA-ve.
Kështu, për hir të asaj që qeveria e quan promovim të turizmit, Tirana po përgatitet të ndërtojë një stadium të përkohshëm prej plot 60 mijë vendesh për t’i bërë vend një njeriu që pjesa tjetër e qytetërimit po e izolon. Për të kuptuar përmasën e stadiumit të Kanye mjafton të kujtojmë që Air Albania ka më pak se 22 mijë vende.
Vendet që i thanë “JO” urrejtjes së shprehur nga Kanye West (Ye)
Lista e vendeve që kanë anuluar performancat e Ye është e gjatë dhe e argumentuar fort me mbrojtjen e vlerave njerëzore.
Në Londër u anulua “Wireless Festival” Ye planifikonte të performonte në korrik 2026. Por më 7 prill Anglia ia refuzoi atij vizën. Vendimi erdhi pas një presioni të jashtëzakonshëm. Zëdhënësi i Kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, bëri këtë deklaratë: “Ne jemi të qartë se komentet dhe veprimet e kaluara të këtij artisti janë fyese, të gabuara dhe thjesht nuk pasqyrojnë vlerat e Londrës”.
Në Poloni Ye kishte planifikuar të mbante një koncert me 19 qershor 2026, në Chorzow. Por Ministrja e Kulturës e bllokoi koncertin në stadiumin “Silesian”, duke u shprehur se promovimi i ideologjive naziste është i papranueshëm.
Në Zvicër ishte planifikuar një koncert për në qershor 2026 në stadiumin St. Jakob-Park, të Bazelit, por kërkesa e artistit u refuzua nga menaxhimi i stadiumit në prill 2026.
Në Francë ishte planifikuar gjithashtu për në qershor 2026, por Ye njoftoi vetë se po e shtynte datën, ndërkohë që autoritetet franceze po shqyrtonin ndalimin e tij.
Në Itali ështe planifikuar një performancë më 18 korrik, në Reggio Emilia, në Hellwatt Festival. Por prania e Ye ka hasur në rezistencë të fortë dhe kërkesa masive për anulim.
Në Bratisllavë, të Sllovakisë, Festivali “Rubicon”, ku Ye ishte i ftuari kryesor, ishte planifikuar për fundjavën e 18-20 korrikut 2025. Ai u anulua pak ditë para nisjes për shkak të presionit mediatik dhe tërheqjes së partnerëve. Mijëra njerëz që prenë biletat onlinë nuk i morën dot kurre paratë mbrapsht.
Në Tajvan venti “Vultures Listening Experience” i planifikuar për të dielën e 25 gushtit 2024, u anulua vetëm pak ditë para mbajtjes. Kaos me rimbursimin e biletave.
Në SHBA, gjatë prillit të 2024, u anuluan një sërë eventesh të Ye në qytete si Tampa, Fort Lauderdale, Pittsburgh, Nashville dhe Charlotte.
Veç parave të biletave të koncerteve të anuluara të Kanye West, qindra mijëra fansa nuk morën dot kurrë mbrapsht paratë e biletave të avionit apo të hoteleve.
Mesazhe pro-naziste dhe “Heil Hitler” që tronditën botën
Të gjitha anulimet kanë të bëjnë me qëndrimet e forta raciste të Ye. Këshilli i Lidershipit Hebrenj (JLC) në Londër lëshoi një nga deklaratat më të ashpra kundër tij.
“West ka përdorur vazhdimisht platformën e tij për të përhapur antisemitizëm dhe mesazhe pro-naziste… Çdo vend apo festival duhet të rimendohet përpara se t’i ofrojë Kanye West-it platformën e tij.”
Rama, mik i hebrenjve apo fans i Ye
Në këtë klimë bojkoti global, Shqipëria shfaqet si delja e zezë ose, sipas propagandës zyrtare, si një vend mikpritës. Aq e madhe është propaganda saqë Edi Rama ka harruar për pak kohë përbetimet për miqësi në Knesset apo deklaratat e ashpra kundër antisemitizmit.
Në janar të 2026 në fjalimin e tij në parlamentin izraelit, ku tha se po i dridheshin gjunjët nga emocionet e nderit që i bënë duke e lënë të fliste aty, Edi Rama e cilësoi antisemitizmin në këtë mënyrë.
“Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm mbi arkitekturën morale të vetë njerëzimit”.
Tani, arkitektura morale është shembur për t’i bërë vend arkitekturës së stadiumit të posaçëm të Ye. Sepse sot, megafonët e propagandës duhet të shpërthejnë muzikën me vargjet raciste të Ye. Nesër prej tyre mund të dëgjojmë sërish fjalime me gjuhë të ashpër kundër antisemitizmit.
Propaganda mbi parimet
Ajo që shumëkush mund të pyesë në këtë situatë është nëse ia vlen vërtet promovimi i turizmit aq shumë sa për të injoruar arsyet pse e gjithë bota po e refuzon këtë artist?
Bota e qytetëruar i është kundërvënë Ye jo se nuk e pëlqen muzikën e tij, por për të treguar se ajo anon nga mbrojtja e vlerave dhe kujtesës historike. Në këtë suazë, Tirana e Edi Ramës duket se po përdor një figurë kaq kontroversale për të krijuar një zhurmë artificiale, duke e shndërruar Shqipërinë në të vetmin ishull ku retorika antisemite e Kanye West nuk përbën asnjë pengesë.
Sot ai postoi videon “God Is”. Dje deklaronte se “të jesh mysliman dhe të jesh antisemit nuk janë të lidhura nga besimi në Zot, por nga tradhtia më e urryer ndaj Zotit”.
Të tilla deklarata krijojnë një kontrast të fortë me situatën aktuale të koncertit të Kanye West në Tiranë, pasi retorika e Ye është pikërisht ajo që Rama ka dënuar si një vrimë të zezë në strukturën e shoqërisë dhe si tradhëti ndaj Zotit./ Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin