Aplikacion
Një pistë e re hetimi është shtuar në dosjen e vrasjes së Edmond (Ali) Sulës, 50-vjeçarit që u ekzekutua një javë më parë në Bërxullë. Hetuesit po verifikojnë nëse atentati mund të ketë lidhje me aktivitetin e tij në një kompani të licencuar për kultivimin e kanabisit mjekësor në Maqedoninë e Veriut.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, Sula rezulton të ketë qenë bashkëaksioner në një kompani që operon ligjërisht në këtë sektor në shtetin fqinj. Dyshimet janë se mund të ketë pasur mosmarrëveshje ose konflikte që lidhen me këtë aktivitet, megjithëse deri tani nuk ka prova konkrete që e mbështesin këtë pistë.
Për të siguruar më shumë informacion, autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen zyrtarisht homologëve në Maqedoninë e Veriut, me kërkesë për të dhëna mbi aktivitetin e Sulës dhe marrëdhëniet e tij të biznesit.
Ndërkohë, një javë pas atentatit, autori ose autorët e vrasjes mbeten ende të paidentifikuar. Sipas burimeve hetimore, mënyra e organizimit të ekzekutimit dhe numri i madh i konflikteve të mundshme në të kaluarën e 50-vjeçarit kanë vështirësuar zbardhjen e ngjarjes.
Paralelisht, hetuesit vijojnë të verifikojnë edhe pista të tjera, përfshirë konflikte të mundshme në komunitetin ku jetonte Sula, dyshime që lidhen me huadhënie me fajde, si dhe mosmarrëveshje në aktivitetin e shitblerjes së pronave.