Aplikacion
Personi në foto është Edmond Sula, i njohur edhe si Ali Sula, 50-vjeçari që mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës, teksa po hynte në banesën e tij në Vorë.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është goditur me një plumb të vetëm, që dyshohet se është qëlluar nga një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Hetuesit dyshojnë se autori ka qëlluar nga një distancë e konsiderueshme.
Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen e grupit hetimor është fakti se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka përforcon dyshimet se autori ka përdorur një mënyrë të mirëplanifikuar për të kryer ekzekutimin dhe për t’u larguar pa lënë gjurmë.
Hetimet janë përqendruar te aktiviteti i 50-vjeçarit, i cili merrej me shitblerjen e pronave. Policia po verifikon nëse ai kishte konflikte të lidhura me këtë veprimtari, pistë që aktualisht konsiderohet ndër më të rëndësishmet për zbardhjen e motivit të vrasjes.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon të mbledhë prova, të analizojë pamjet e kamerave të sigurisë dhe të kryejë veprime të tjera procedurale, me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.