Aplikacion
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni synon të marrë përgjegjësinë për kontrollin dhe sigurinë e Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se një rol i tillë duhet të shoqërohet me kompensim financiar.
Gjatë një interviste për Fox News, Trump u shpreh se nëse SHBA do të udhëheqë operacionet për mbrojtjen e kësaj rruge strategjike detare, atëherë vendi duhet të paguhet për shërbimin që ofron.
“Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të marrin drejtimin e Ngushticës së Hormuzit. Nëse ne e bëjmë këtë, atëherë do të paguhemi. Do të jemi garantuesit e sigurisë së saj dhe kjo duhet të ketë një kosto”, deklaroi presidenti amerikan.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm. Sipas raportimeve të Axios, ushtria amerikane ka zhvilluar një seri sulmesh ndaj objektivave iraniane, duke goditur dhjetëra pika strategjike me municione precize.
Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur se operacioni kishte si synim dobësimin e kapaciteteve të Iranit për të kërcënuar ose sulmuar trafikun detar që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Veprimi ushtarak amerikan erdhi pas sulmit me raketë ndaj një anijeje tregtare, që sipas Uashingtonit u krye nga Garda Revolucionare Islamike, si edhe pas deklaratave të autoriteteve iraniane për mundësinë e mbylljes së Ngushticës./ Zoom.al