Aplikacion
Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur në Sarandë, ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi ka rënë nga lartësia e një objekti.
Sipas informacioneve, i plagosuri është identifikuar si Besnik Lika, banues në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit, teksa 44-vjeçari ishte duke kryer punime për riparimin e çatisë së një objekti.
Mësohet se ai ka rënë nga soleta dhe si pasojë e goditjes ka pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Sipas bluzave të bardha, dëmtimi i ka shkaktuar humbje të lëvizshmërisë së gjymtyrëve të poshtme.
Pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, mjekët kanë vlerësuar se gjendja e tij kërkonte trajtim më të specializuar. Për këtë arsye është vendosur transportimi urgjent me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar masat e sigurisë gjatë punës./ Zoom.al