Aplikacion
Hetimet për vrasjen e 50-vjeçarit Edmond Sula në fshatin Bërxullë vijojnë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë arritur të identifikojnë autorin e krimit. Deri më tani, nuk është siguruar asnjë provë vendimtare që të çojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, Sula u qëllua me armë zjarri në momentin kur po hynte në banesën e tij. Ekspertët dyshojnë se e shtëna është kryer nga një distancë e konsiderueshme, ndërsa plumbi i marrë rezultoi fatal.
Grupi hetimor po verifikon disa pista. Njëra prej tyre lidhet me mosmarrëveshje të mundshme për prona në zonën e Vorës dhe në vende të tjera, ku viktima thuhet se kishte pasur konflikte me persona të ndryshëm. Po ashtu, hetuesit po shqyrtojnë edhe përplasje të tjera që ai mund të ketë pasur kohët e fundit.
Megjithatë, burime bëjnë me dije se deri në këtë fazë nuk ka prova të mjaftueshme që të mbështesin përfundimisht ndonjërën prej pistave të ngritura.
Një tjetër element që po analizohet janë pamjet e kamerave të sigurisë. Materialet e sekuestruara nuk ofrojnë një identifikim të qartë të autorit, por tregojnë një person që largohet nga zona në këmbë. Hetuesit po verifikojnë nëse ai është ndihmuar më pas nga persona të tjerë ose është larguar me automjet.
Për shkak të mënyrës së kryerjes së krimit, ekspertët dyshojnë se është përdorur një armë me rreze të gjatë veprimi, megjithëse lloji i saj nuk është konfirmuar ende nga ekspertiza balistike.
Paralelisht, po hetohet edhe mundësia që autori të ketë pasur informacion paraprak për lëvizjet e Edmond Sulës. Sipas dyshimeve të hetuesve, nuk përjashtohet që një person tjetër të ketë vëzhguar viktimën dhe të ketë njoftuar autorin për momentin kur ai u kthye në banesë./ Zoom.al