Aplikacion
Mëna e 17-vjeçares së dhunuar në Fier ka folur për gjendjen e vajzës së saj pas ngjarjes, duke thënë se fillimisht nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur, pasi e bija kishte zgjedhur të mos fliste.
Ajo tregoi se kishte vënë re se vajza ishte e shqetësuar dhe kishte shenja në trup, por nuk arrinte të kuptonte arsyen. Sipas saj, vetëm pasi mësoi për publikimin e një videoje në rrjetet sociale, 17-vjeçarja vendosi t’i rrëfente ngjarjen.
Nëna tha se vajza i kishte treguar se ishte përballur me tre bashkëmoshatare pasi kishte dalë nga kursi dhe se nuk kishte pasur asnjë konflikt me to. Ajo theksoi se e bija është një vajzë e qetë dhe nuk ka pasur probleme me askënd.
Sipas saj, menjëherë pas marrjes dijeni për ngjarjen, familja bëri kallëzim në polici dhe bashkëpunoi me autoritetet. Megjithatë, ajo u shpreh se për disa javë kishte kërkuar informacion mbi ecurinë e çështjes, pasi ishte e shqetësuar për gjendjen e vajzës.
Nëna deklaroi gjithashtu se publikimi i videos e ka rënduar edhe më shumë situatën emocionale të familjes. Ajo tha se pamjet kanë lënë ndikim të fortë tek ajo dhe se prej më shumë se një muaji nuk ka mundur të gjejë qetësi.
“Kishte shenja në fytyrë, sy të nxirë. Kokën çfarë t’i shikojë, flokë të shkulur, shenja e në trup. U mundova t’i zbuloja diçka, e shihja të shqetësuar, por më kot. U mundova t’i nxirrja diçka, por nuk tregonte. Pastaj mësova për videon në rrjetet sociale. Pastaj më tregoi se çfarë kishte ndodhur. I thashë të çoj në kurs, por më tha ja çfarë më ndodhi, “kështu ndodhi o ma” më tha. I thashë mos i kë bërë gjë gocave, jo më tha mami, nuk i bëra asgjë. Atë ditë që kishte dalë nga kursi i kishin dalë para. Po pse i thashë moj mami, ajo nisi të qante, i nisën të dridhurat, po qante.
Shkuam te Policia, bëmë denoncim në Komisariat, shkuam bashkë, e çuan edhe te shtëpia ku ndodhi ngjarja. Pritëm një ditë, dy, tre, katër, pas katër ditësh çupa u sëmur. O mami do ta nxjerrin më tha, prita por asnjë kontakt. Vajta në polici, u tregova videon, nuk më pranonte njeri. I ruajta videot në telefon, por kur pashë videon ashtu, nuk më mbante vendi, mbase edhe ato nënat e vajzave nuk dinin gjë, por çdokush ta kthejë thikën nga ana e tij e të mendojë. Unë jam në punë deri në orën 4, nëse vajza është e sëmurë unë do kujdesem ta shëroj. Vajza është e sjellshme, e urtë, nuk ngacmon njeri.
Ku ta di unë se vajza nuk ka pasur stres dhe presion nga më përpara, nga ta di unë? E çova për vizitë, doktori më tha se nuk ka asgjë. Kishim frikë, se mos vjen dikush, shikonim. Vajta edhe në polici, u bë një muaj, çfarë u bë me rastin, më kanë dhunuar vajzën gocat, janë zënë gocat i thashë. Unë kërkoj të drejtën e fëmijës tim.
Kam një muaj nuk më zë gjumi, kam atë videon e shoh dhe s’më zë vendi, goca ime po dhunohet, goca më kërkon ndihmë e thotë “o ma” dhe e shoh kur e dhunojnë vajzën time dhe unë jam këtu. Vajta e në Polici, vajta e në Prokurori. Kam tre vajza. I thashë vajzës do iki të gjej zgjidhje. Ku po shkon o mami më tha, do iki i thashë nuk duroj dot, të gjej zgjidhje. Nuk duroj dot kështu të shoh vajzën time që dhunohet e thërret “o ma”. Vajza ime nuk ngacmonte njeri, shikonte punën e saj”, tha nëna e 17-vjeçares./ Zoom.al