Aplikacion
Dy apartamente dhe një garazh, me një vlerë të përllogaritur rreth 420 mijë euro, janë vendosur nën sekuestro nga autoritetet në Tiranë, pasi dyshohet se pasuritë janë siguruar përmes të ardhurave që burojnë nga veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pasuritë rezultojnë në pronësi të shtetasit me iniciale H. A., 54 vjeç. Hetuesit dyshojnë se këto prona nuk kanë burim të ligjshëm financiar dhe mund të jenë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrimi është kryer pas një hetimi pasuror të zhvilluar nga strukturat përkatëse, në bazë të një vendimi të marrë nga Gjykata. Masat e marra synojnë bllokimin e pasurive për të parandaluar tjetërsimin e tyre gjatë vijimit të procedurave ligjore.
“Pasuritë me vlerë tregu rreth 420 mijë euro dyshohet se janë krijuar nga veprimtaria kriminale e shtetasit H. A., në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”, bëhet me dije nga Policia.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera që mund të jenë krijuar nga burime të paligjshme, si dhe për verifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me këtë çështje./ Zoom.al