Aplikacion
SPAK ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë vendosur masa sigurie ndaj 10 personave dhe kanë sekuestruar 491 pasuri me një vlerë të përafërt prej 150 milionë eurosh.
Sipas të dhënave, grupi dyshohet se ka operuar gjatë viteve 2019-2021 në disa shtete të Amerikës Latine dhe Europës, duke trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në pesë episode të dokumentuara nga autoritetet, janë sekuestruar afro 9 tonë kokainë, ndërsa dyshohet se rrjeti ka qarkulluar të paktën 50 tonë drogë gjatë aktivitetit të tij kriminal.
Në qendër të organizatës, qëndron Salvador alias Shpëtim Aliu, një emër pak i njohur më parë për publikun, i cili dyshohet se koordinonte aktivitetin nga Dubai. Hetuesit e konsiderojnë atë një nga figurat kyçe të furnizimit me kokainë për grupe të ndryshme kriminale shqiptare që vepronin në tregjet ndërkombëtare.
Mes personave të përfshirë në dosje rezultojnë edhe emra të njohur të botës së krimit si Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, të cilët akuzohen për rol të rëndësishëm në trafikun e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Europës.
Hetimet kanë zbuluar se fitimet e përfituara nga trafiku i drogës silleshin në Shqipëri kryesisht në formë cash dhe më pas investoheshin në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë ndërtimin, hotelerinë dhe tregtinë. Përmes këtyre investimeve, sipas SPAK, synohej fshehja e origjinës së paligjshme të parave.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen hotele, vila, apartamente, toka, kompani tregtare, llogari bankare dhe mjete të ndryshme. Mes tyre bien në sy 121 prona në kompleksin turistik “Marina Seaside” në Gjirin e Lalzit, si dhe disa struktura hoteliere në Tiranë, Dhërmi dhe zona të tjera turistike të vendit.
Gjykata e Posaçme ka miratuar sekuestrimin preventiv të pasurive, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për administrimin e tyre. Ndërkohë, vetëm një prej personave ndaj të cilëve është caktuar masa “arrest me burg” është vënë në pranga, ndërsa pjesa tjetër rezulton në kërkim brenda dhe jashtë Shqipërisë./ Zoom.al
68 vite pritje për këtë ditë, rrëzohet rekordi historik që ka “çmendur” tifozët e Brazilit