Aplikacion
Operacioni i fundit i SPAK nuk zbuloi asgjë të re. Ai thjesht i vuri vulën një të vërtete që ulëriste para syve tanë prej afro 1 dekade, atë që paratë e kokainës kolumbiane janë futur thellë, deri në palcë, në ekonominë shqiptare.
Skema ishte pothuaj banale në thjeshtësinë e saj për t’u kuptuar nga i madh e i vogël. Trafikantët e drogës, me miliona euro të krijuara nga trafiku ndërkombëtar, themeluan kompani fantazmë, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Brenda një kohe rekord, këto kompani nisën të xhironin shuma marramendëse. Kur ato nuk mjaftuan për të përpirë lumenjtë e parave të pista, ata kaluan në fazën tjetër: lidhjen e kontratave me sipërmarrje të konsoliduara. Përmes bankave dhe rrugëve të tjera, miliona euro iu injektuan kompanive me mbi 30 vite përvojë në treg për ndërtim kullash, kompleksesh banimi dhe resortesh turistike. Në këtë mënyrë, kanceri i pastrimit të parave i shtriu metastazat në çdo qelizë të industrisë sëndërtimit.
Gjithçka ndodhi hapur, ditën për diell, nën sytë e policisë, të SPAK-ut dhe të institucioneve të tjera qeveritare të zbatimit të ligjit. Askush nuk lëvizi as gishtin e vogël për ta ndaluar. Përkundrazi, Edi Rama e inkurajoi këtë realitet. Ai shkoi deri aty sa hartoi një draft për amnisti fiskale dhe penale, një tentativë e pastër për të legalizuar paratë e krimit, e cila u bllokua vetëm falë presionit të hapur të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, policia e tij bënte sehir. Çdo ditë, poshtë hundës së uniformave të shtetit, parakalojnë djem 25 apo 35-vjeçarë me makina që kushtojnë mbi 200 mijë euro, duke çmendur rrugët e Shqipërisë me zhurmë dhe arrogancë. Janë njerëz që nuk kanë asnjë ditë pune të deklaruar. Sa e vështirë është për një shtet të zbulojë se si u ble kjo makinë apo me çfarë parash mbahet? Sa e vështirë është të verifikohet se si u ble një shtëpi apo një vilë luksoze nga dikush që nuk ka punuar asnjë ditë në shtet apo privat?
Përgjigjja është e thjeshtë: shteti që ndërtoi Edi Rama nuk ka vullnet për të parë krimin. Sepse kullat që kanë mbirë në Tiranë nuk po ndërtohen për popullin. Asnjë qytetar i ndershëm, i asnjë kategorie, qoftë i punësuar në shtet apo në privat, madje edhe me pagat më të larta në vend, nuk ka asnjë mundësi të blejë një apartament në këto kulla luksoze.
Edi Rama është përgjegjësi direkt për këtë degradim, sepse ai ka lejuar gjithçka të tillë. Ai bëri të mundur që Shqipëria të kthehej në një çerdhe të krimit dhe të pastrimit të parave. Ai është autori i dhunimit të qytetarëve të thjeshtë, duke u vënë përballë arrogancën e kriminelëve, të trafikantëve të drogës dhe të politikaneve të korruptuar.
Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama, duke bërë pis çdokënd që mund të jetë joshur nga paratë e drogës apo që e ka gjetur veten të përlyer me trafikantë, të cilët na u prezantuan si biznesmenë. Nën pushtetin e tij, të gjithë trafikantët dhe të korruptuarit u bënë biznesmenë. U veshën si të tillë, duke na treguar botërisht se biznesmenët e këtij tranzicioni edhe vrasin, edhe vriten, edhe rrihen si halabakë nëpër kafene.
Shteti i Edi Ramës përlyeu çdokënd, me injektimin e miliardave të drogës në çdo fushë të ekonomisë. Biznesmenë të ndershëm, që përplasen me ketë shtet prej 35 vitesh edhe pse paguajnë taksa e detyrime, e panë veten të nëpërkëmbur nga biznesmenët që prodhoi tarfiku i drogës nën qeverisjen Rama. Qytetarët po ashtu, i panë në çdo fushatë zgjedhore si oferta të parezistueshme shuket me para përballë realitetit të dhimbshëm që të ofron varfëria e të qenit i ndershëm, duke u munduar të jetosh me një pagë 50 apo 70 mijë lekë në muaj që jep shteti.
Në këtë ekuacion, edhe vetë SPAK është pjesë e të njëjtit realitet. Goditjet e fundit nuk erdhën nga zgjimi i ndërgjegjes së institucioneve tona, por janë produkt, nxitje dhe udhëheqje nga agjencitë e huaja. Përndryshe, as SPAK nuk do ta kishte lejuar këtë realitet në 7 vitet e funksionimit të tij.
Tani, e gjithë shoqëria pret sërish se çfarë do të sjellin ndërkombëtarët për të parë se si e ka kriminalizuar shoqërinë ky pushtet 13-vjeçar. Dhe ndërsa presim, çdo biznes i ndershëm kuptoi se si çdokush që deri dje i është prezantuar si partner në mirëbesim, mund të jetë thjesht një trafikant droge. /Zoom.al