Aplikacion
Operacioni i fundit i SPAK kundër një organizate të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge ka rikthyer në qendër të vëmendjes emrin e Eldi Dizdarit, një prej figurave më të njohura të botës së krimit shqiptar me aktivitet të shtrirë në disa vende të Europës dhe Amerikës Latine.
Pas goditjes së grupit kriminal ku përfshihet edhe Dritan Gjika, hetimet kanë nxjerrë sërish në pah informacione të publikuara më herët nga mediat belge lidhur me aktivitetin dhe pasurinë e personave të afërt me Dizdarin.
Sipas gazetës belge GVA, Eldi Dizdari, i njohur edhe me pseudonimin “Alduth”, ishte ndaluar vite më parë nga policia belge gjatë një kontrolli rutinë në autostradën Antwerp-Eindhoven, ndërsa udhëtonte me një automjet luksoz. Në atë moment, efektivët nuk kishin dijeni se përballë tyre ndodhej një person i kërkuar nga disa autoritete europiane.
Një pjesë e rëndësishme e raportimit fokusohet te bashkëshortja e tij, ish-missi Suada Sherifi. Sipas të dhënave të publikuara nga media belge, ajo rezulton pronare e nëntë pasurive të paluajtshme në Dubai, me një vlerë të përgjithshme që llogaritet rreth 17.8 milionë euro.
Raporti thekson se Dizdari, i identifikuar në disa dosje edhe me emrin Denis Matoshi, rezulton i regjistruar në një nga zonat më luksoze të Dubait, Bluewaters Island Residences 2. Kjo zonë konsiderohet si një nga destinacionet e preferuara të personazheve të njohur të biznesit, por edhe të individëve të dyshuar për aktivitete kriminale ndërkombëtare.
Mediat belge e lidhin emrin e tij edhe me hetimet për klanin kriminal asirian “Y.” në Antwerp, ku ai dyshohet për përfshirje në korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas hetuesve, atij i ishin siguruar dokumente identifikimi false përmes kontakteve me një zyrtar të korruptuar në Belgjikë.
Në qarqet kriminale të Antwerp-it, Dizdari njihet me nofkat “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”. Emri i tij është përmendur gjithashtu në lidhje me organizatën “Bello”, një rrjet i përbërë nga disa grupe kriminale shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas hetimeve të publikuara nga autoritetet dhe mediat e huaja, ai dyshohet se ka luajtur rol në organizimin e transportit të sasive të mëdha të kokainës drejt porteve të Antwerp-it dhe Rotterdamit, duke shfrytëzuar lidhje të krijuara brenda infrastrukturës portuale./ Zoom.al
“Po dëmtojnë turizmin”/ Protestuesi-Ramës: E di ti që shqiptarët s’bëjnë dot pushime?!