zoom

Lajme

Pasi iu hoq “non grata”, Berisha do të udhëtojë drejt SHBA

Pasi iu hoq “non grata”, Berisha do të udhëtojë drejt SHBA

Kreu i PD, Sali Berisha do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës së shpejti, pasi iu hoq “non grata”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, bëri të ditur se ai do të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të administratës amerikane.

Gjatë një interviste, Zhupa e cilësoi këtë zhvillim si një moment me rëndësi të veçantë për Berishën, Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj. Sipas deputetes, vendimi që i hap rrugën udhëtimit të liderit demokrat në SHBA përfaqëson një fitore politike dhe morale pas një beteje të gjatë.

Zhupa deklaroi se lideri i opozitës tashmë ka mundësinë të udhëtojë pa pengesa drejt SHBA-së dhe se në një të ardhme të afërt priten takime me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë.

“Sali Berisha e kalon oqeanin. Sali Berisha mund të takojë zyrtarët më të lartë amerikanë, siç do t’i takojë. Shumë shpejt do të ketë takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ina Zhupa.

Javën e shkuar Berisha njoftoi publikisht se i ishte hequr “non grata”, një sanksion i vendosur nga SHBA në vitin 2021. Asokohe, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e akuzoi Berishën për korrupsion dhe minim të shtetit të së drejtës./ Zoom.al

Postime të lidhura