zoom

Lajme

Berisha: Nuk kam qenë kurrë “non grata”

Berisha: Nuk kam qenë kurrë “non grata”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit që lidhen me heqjen e sanksionit amerikan ndaj tij, duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë subjekt i një statusi “non grata”, por i një mase që kufizonte hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas seancës plenare, Berisha u ndal përpara gazetarëve dhe komentoi për herë të parë vendimin, duke theksuar se termin “non grata” e kanë përdorur kundërshtarët e tij politikë gjatë viteve të fundit.

Sipas kreut të demokratëve, masa e vendosur nga autoritetet amerikane kishte të bënte me ndalimin e hyrjes në SHBA dhe jo me një status formal “non grata”. Ai deklaroi se tashmë ky kufizim është hequr dhe se për këtë çështje ka pasur komunikime zyrtare me përfaqësues amerikanë.

Berisha e konsideroi këtë zhvillim si një rikthim të tij në raport me autoritetet amerikane, ndërsa shmangu dhënien e detajeve të mëtejshme mbi përmbajtjen e komunikimeve që, sipas tij, kanë konfirmuar ndryshimin e statusit.

“U ktheva. Sali Berisha s’ka qenë kurrë non grata. Nëse doni, po të them: Sali Berisha s’ka qenë kurrë non grata. Ka pasur një sanksion.

Kundërshtarët e kanë quajtur këtë non grata, por edhe unë nuk është se e kundërshtova.

Ka pasur një ndalim hyrjeje për ato arsye në SHBA. Sot unë them u ktheva. Kam pasur komunikim zyrtar, ndaj jam këtu sot. Mirupafshim!”, tha Berisha.

Deklarata e tij vjen pak orë pasi në media u raportua për heqjen e sanksionit të vendosur nga SHBA në vitin 2021. Asokohe, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e akuzoi Berishën për korrupsion dhe minim të shtetit të së drejtës./ Zoom.al

Postime të lidhura