zoom

Aktualitet

Auron Tare ngre alarmin për Butrintin: Zonat e mbrojtura po dëmtohen me mbështetjen e institucioneve

Auron Tare ngre alarmin për Butrintin: Zonat e mbrojtura po dëmtohen me mbështetjen e institucioneve

Gazetari dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar ashpër për çështjen e zonave të mbrojtura ku lejohen ndërtime, duke sjellë edhe një shembull të Parkut Kombëtar të Butrintit, duke e cilësuar atë si një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë qytetare dhe protestave të fundit.

Në një postim publik, ai pretendon se zona të mbrojtura me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare po përballen me ndërhyrje që rrezikojnë integritetin e tyre natyror dhe historik.

Sipas Tares, fotografitë që ai publikon tregojnë ndryshimet e ndodhura në vijën bregdetare të Parkut Kombëtar të Butrintit, një pasuri e mbrojtur nga UNESCO, Konventa Ramsar dhe legjislacioni shqiptar. Ai pretendon se gjatë ndërtimit të një resorti turistik janë kryer ndërhyrje në terren, përfshirë gërmime dhe modifikime të vijës bregdetare, me qëllim krijimin e hapësirave të reja për plazh.

Tare akuzon institucionet përgjegjëse, duke përmendur Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe administratën e Parkut të Butrintit, të cilat sipas tij kanë lejuar ose nuk kanë penguar këto ndërhyrje.

Ai rikujton gjithashtu deklaratat e mëparshme të ministres së Kulturës, Elva Kumbaro, e cila kishte mohuar ekzistencën e ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, pavarësisht publikimit të fotografive që, sipas Tares, dëshmonin të kundërtën.

Në reagimin e tij, Tare pretendon se më vonë vija bregdetare u përjashtua nga kufijtë e zonës së mbrojtur, një veprim që sipas tij ka sjellë shqetësime edhe në raport me institucionet ndërkombëtare që monitorojnë statusin e Butrintit.

Sipas Tares, mbrojtja e pasurive natyrore dhe historike duhet të jetë prioritet kombëtar, ndërsa ai e konsideron situatën në Butrint si një shembull të problematikave që kanë shtuar pakënaqësinë qytetare ndaj institucioneve shtetërore.

Postimi i plotë:

“Pse Protesta”

Për të kuptuar qartë arsyet përse është mbushur gota e zemërimit shikoni dhe lexoni më poshtë se si po shkatërrohen Zonat e Mbrojtura me bekimin dhe ndihmën e Institucioneve Zyrtare.

Foto 1 tregon dinamikën e shkatërrimit të zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit, Pasuri Botërore Mbrojtur nga Unesco. Mbrojtur nga Konventa Ramsar dhe nga Legjislacioni Shqiptar.

Ndërtuesi qartësisht i ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Agjencia e Zonave të Mbrojtura si dhe Administrata e Parkut të Butrintit ka lejuar shkatërrimin e vijës bregdetare me eskavator dhe eksploziv për të hapur Plazhe për Resortin Turistik që po ndërton.

E pyetur në TV mbi këtë cështje Ministrja e Kulturës, Znj Kumbaro bëri të paditurën duke mohuar cdo ndërhyrje në këtë zonë edhe pse fotot e prezantuara tregonin gërmime në zonat e mbrojtura.

Pas një viti, vija bregdetare u hoq nga zona mbrojtur për ti lënë dorë të lirë ndertuesit por duke krijuar probleme të mëdha me institucionet ndërkombëtare të cilat ende sot kërkojnë Hartën e Parkut të Butrintit.

Ndërkohë Qyteti Antik ju dha me koncesion Fondit Shqiptaro Amerikan për ta administruar pasi shqiptarët janë të pa aftë për të ruajtur pasuritë e tyre kombëtare./ Zoom.al

Postime të lidhura