Aplikacion
Komisioni Europian ka shprehur shqetësime serioze lidhur me projektin e planifikuar turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, duke paralajmëruar se zhvillime që cenojnë standardet mjedisore të Bashkimit Europian mund të ndikojnë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
Reagimi vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec janë intensifikuar, ndërsa aktivistët dhe banorët lokalë kundërshtojnë ndërhyrjet në një prej ekosistemeve më të rëndësishme natyrore të vendit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Komisionit Europian, Guillaume Mercier, kujtoi se Shqipëria ka detyrimin të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me atë europian në fushën e mjedisit përpara mbylljes së Kapitullit 27 të negociatave.
Sipas tij, kjo përfshin zbatimin e plotë të direktivave për shpendët dhe habitatet, si dhe rishikimin e dispozitave që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
“Shqipëria duhet të tregojë se është në gjendje të menaxhojë dhe mbrojë zonat që në të ardhmen mund të bëhen pjesë e rrjetit Natura 2000. Çdo veprim që rrezikon habitatet apo speciet e mbrojtura mund të ndikojë në përmbushjen e kritereve të vendosura për mbylljen e kapitullit”, theksoi Mercier.
Komisioni Europian bëri të ditur se shqetësimet për ndikimin e mundshëm mjedisor të projektit nuk janë të reja. Sipas Brukselit, edhe në raportet e mëparshme për Shqipërinë është evidentuar problematika që lidhet me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike dhe efektet që ai mund të ketë në zonat e mbrojtura.
Zyrtarët europianë kanë zhvilluar komunikime edhe me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ku është diskutuar mbi procedurat që duhet të ndiqen për çdo projekt që prek territore me rëndësi të veçantë ekologjike.
Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare kanë deklaruar se nuk ekziston ende një projekt përfundimtar i miratuar për zhvillimin në Zvërnec dhe se nuk po zhvillohen punime.
Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur investimin, duke e konsideruar atë një mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit. Sipas tij, kritikat dhe kundërshtimet ndaj projektit janë të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin e nismës.
Projekti lidhet me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka bërë publike synimin për ndërtimin e komplekseve turistike, hoteleve dhe vilave në zonën e Zvërnecit./ Zoom.al