Aplikacion
Tiranë – Protestat qytetare dhe mjedisore kundër projektit të ndërtimit të resortit turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit kanë ngjallur edhe njëherë shpresë në këtë vend se ka qytetarë që janë në gjendje t’i kërkojnë llogari një prej qeverive më arrogante që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.
Ajo ka prodhuar një ndjeshmëri të lartë publike, duke tërhequr vëmendje ndërkombëtare, më një paqyrim në këtë katër anët e botës nga mediat më prestigjioze në glob.
Qytetarë, aktivistë dhe ekspertë janë bashkuar për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie lidhur me resortin luksoz të planifikuar nga kompania e Jared Kushner.
Megjithatë, përgjatë fundjavës, kjo lëvizje e pastër qytetare u përball me një gafë që rrezikon t’ia zbehasë shkëlqimin. Disa nga organizatorët dhe aktivistët më të zëshëm të saj përhapën një lajm që rezultoi i rremë.
Përmes postimeve në rrjetet sociale, disa nga zërat udhëheqës të protestës shpërndanë me shpejtësi informacione dhe fotografi, duke pretenduar se përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ishin vendosur flamuj të Izraelit. Sipas tyre, ky dekorim po bëhej në kuadër të Javës Kulturore Izraelite dhe u interpretua menjëherë si një provokim i qëllimshëm ndaj kauzës së tyre nga vetë Edi Rama.
Lidhja u bë e thjeshtë, duke qenë se pas Jared Kushner qëndron një biznesmen izraelit dhe duke marrë në konsideratë faktin se kryeministri i Shqipërisë është gati të shesë edhe gjysmën e Shqipërisë në këmbim të mbështetjes së administratës Trump. Kështu, vendosja e flamujve të Izraelit u cilësua si një mesazh politik. Aktivistët shkuan deri aty sa t’u bënin thirrje protestuesve që të mos i preknin flamujt, duke pretenduar se ata ishin varur qëllimisht në lartësi të ulët për të provokuar reagime të dhunshme apo dëmtime.
Por, e vërteta rezultoi ndryshe. Një verifikim i thjeshtë në terren tregoi se në bulevard nuk kishte asnjë flamur të tillë.
Por lajmi i rremë i përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe disa media online rrezikon ta dëmtojë më shumë se çdo gjë tjetër protestën qytetare, një nga më të mëdhatë në dekadën e fundit.
Protestuesit kanë bërë për vete qindra mijëra shqiptarë në vend dhe në diasporë për shkak të kauzës që ata po mbrojnë. Ata kanë paraqitur deri tani argumenta të fortë për mbrojtjen e mjedisit apo për qëllimet se përse Rama po ua jep një prej perlave të vendit një grupi investitorësh të fshehur nëpër kompani offshore.
Në këtë kontekst, kjo protest nuk ka nevojë për trillime. Përkundrazi, përdorimi i informacioneve të rreme sjell pasoja të rënda dhe i jep kundër-argumenta Edi Ramës, i cili deri tani ka folur për amplifikim të protestës në mënyrë të qëllimshme apo edhe për luftë hibride. Ai mund ta përdorë këtë lajm për të thonë se edhe kauzat e tjera janë të shpikura njësoj si lajmi për flamujt izraelitë që nuk ekzistonin.
Duke përhapur lajme të rreme, të çfarëdolloj natyre qofshin ato, protesta rrezikon ta humbasë besimin e qytetarëve dhe fokusin e saj, pasi vëmendja do të zhvendoset tek teoritë konspirative, të cilat nuk kanë as shumë mbështetës në shoqërinë shqiptare. Shumë prej mbështetësve të protestës do të nisin të ndihen të manipuluar ose të përdorur për kauza në të cilat nuk kanë dëshirë të përfshihen, të përfshirë pa dëshirë në agjenda të tjera, çka mund t’i detyrojë ta braktisin protestën.
Protesta për Zvërnecin ka treguar se ka energjinë dhe të drejtën në anën e saj. Për ta mbajtur këtë kauzë të fortë dhe të pastër, aktivistët duhet të kuptojnë se faktet janë arma e tyre më e fortë dhe se çdo përpjekje për të krijuar armiq imagjinarë vetëm sa e dobëson kauzën e vërtetë dhe do ta shuajë “revolucionin e flamingove” me një shpejtësi që edhe vetë Edi Rama do ta kishte zili. /Zoom.al