Aplikacion
Që pas dhunës së rojes private ndaj një protestuesi në Zvërnec, Tirana është përfshirë nga një valë protestash.
Këtë të hënë është njoftuar protesta e nëntë radhazi kundër qeverisë. Mijëra qytetarë pritet të mblidhen si çdo ditë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet, për të marahuar drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për largimin e kryeministrit dhe ndryshim të kursit politik në vend.
Një ditë më parë, pjesëmarrja në protestë ishte masive. Gjatë marshimit dhe qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit mbajtën pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe sloganet “Shqipëria e Re”, “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Rama dorëhiqu”. Në fokus të kërkesave të tyre ishte dorëheqja e kryeministrit, si dhe anulimi i investimit në Zvërnec.
Organizatorët e konsiderojnë këtë mobilizim si një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj politikave qeveritare. Tubime ka pasur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Durrësi, Vlora, Korça, Elbasani e Pogradeci. Edhe diaspora shqiptare është mobilizuar dhe është organizuar në protesta në Firenze, Milano, Bolonja, New York, Mynih, Kanada.
Ndërkohë, paralelisht sot është paralajmëruar edhe një protestë në Shkodër, aty ku do të jetë edhe kryeministri Edi Rama për një aktivitet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste./ Zoom.al