zoom

Aktualitet

Protestat masive, Rama: Shqipëria s’është e shqiptarit, por e Zotit dhe mikut! Po dëmtoni imazhin e vendit

Protestat masive, Rama: Shqipëria s’është e shqiptarit, por e Zotit dhe mikut! Po dëmtoni imazhin e vendit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave kundër projektit të investimit në Zvërnec dhe thirrjeve për dorëheqjen e tij, duke deklaruar se mesazhet e përcjella gjatë këtyre tubimeve, sipas tij, dëmtojnë imazhin e Shqipërisë.

Gjatë një takimi në Elbasan, Rama u ndal veçanërisht te slogani “Shqipëria është e shqiptarëve”, duke thënë se ai bie ndesh me traditën dhe kulturën shqiptare.

Sipas kreut të qeverisë, Kanuni përcakton se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, duke nënvizuar se vendi duhet të mbetet i hapur dhe mikpritës për të gjithë.

Rama shkoi më tej, duke e krahasuar këtë slogan me parullën e përdorur nga Gjermania naziste, “Gjermania është e gjermanëve”, për të cilën tha se solli pasoja tragjike për atë vend.

Duke folur për projektin që ka shkaktuar debatet, kryeministri theksoi se bëhet fjalë për një investim prej rreth 4 miliardë eurosh, të cilin e cilësoi si një nga më të mëdhenjtë në Evropë gjatë viteve të fundit.

“Po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde një investimi prej 4 miliardë eurosh, që është investimi më i madh në Evropë prej shumë vitesh. Nuk mund t’i përcjellim botës një imazh të shtrembëruar të Shqipërisë me mesazhe që nuk përfaqësojnë vlerat tona,” u shpreh Rama.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar reagime dhe protesta nga banorë, aktivistë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kundërshtojnë realizimin e investimit në atë zonë.

Postime të lidhura