Aplikacion
Nga Zoom.al
Tiranë – Edi Rama tentoi sot ta zhvendoste debatin për projektin e Jared Kushner në Zvërnec nga protestat masive që po pushtojnë të gjitha qytetet, drejt një narrative më të madhe. Në vend që të reflektojë mbi çfarë po ndodh dhe pse po ndodh, ai ndërtoi iu drejtua mediave ndërkombëtare me një mbi keqinformimin global në epokën digjitale.
Sipas kryeministrit, protesta është relativisht e vogël dhe e ekzagjeruar nga mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale. Në fakt, pjesëmarrja nuk ka qenë masive në terma absolutë, por kjo nuk e bën atë të parëndësishme. Megjithatë, në 7 ditë, ajo ka sjellë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara kryeministrisë, më shumë se çdo protest tjetër që kanë bërë ndonjëherë Rama apo edhe Berisha bashkë me të.
Ajo solli në shesh të rinj e të moshuar, intelektualë e njerëz të thjeshtë dhe emigrantë, të paorganizuar politikisht, por të mbledhur nga një shqetësim i vetëm: uji në gotën e kësaj qeverisje është derdhur. Dhe pika e derdhjes ishte vërtet Zvërneci, më shumë për mënyrën se si është dhënë kjo mrekulli për të ndërtuar një resort turistik për dhëndërrin e presidentit Trump apo vëllezërit sirianë Al-Khayyat që lëvizin paratë e Katarit dhe Izraelit, sesa për vetë ndërtimin.
Gota në fakt është mbushur me korrupsionin galopant dhe arrogancën e Ramës përballë hetimeve të SPAK për Karçanajn dhe Ergys Agasin e AKSHI apo për Ballukun, për shëndetësinë dhe arsimin e rrënuar, për policinë e inkriminuar dhe të korruptuar, për infrastrukturën e dërrmuar, për pabarazinë sociale të thelluar e për shumë probleme që shqiptarët po i jetojnë prej vitesh mbi kurriz.
Megjithatë, për një çështje lokale si Zvërneci, mobilizimi i disa mijëra qytetarëve tregoi se shqetësimi i qytetarëve të thjeshtë është real, jo virtual. Pikërisht për këtë protesta u bë virale, sepse qytetarët po i thonë “JO” një grushti të fortësh dhe arrogantësh në pushtet, këtu në Shqipëri dhe përtej Atlantikut. I thanë jo edhe serbët dhe sërish mediat u mbushën, por qeveria e Vuçiç u tërhoq me shpejtësi nga projekti për t’i dhënë Jared Kushner-it projektin për ndërtimin e një hoteli të stilit Trump mbi një ndërtesë qeveritare.
LEXO EDHE:
Rama këmbëngul se “nuk ka projekt”, “nuk ka leje” dhe “nuk ka ndërtim”. Teknikisht, kjo është e vërtetë. Por në perceptimin publik, fakti që ka një investitor konkret, pati një rrethim konkret me tela me gjemba dhe ka edhe një vizion të shpallur për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur, mjafton për të krijuar bindjen se procesi është tashmë në rrugë e sipër dhe se ndërtimi aty është thjesht çështje kohe.
Rama tenton të imponojë idenë e një lufte hibride kundër Shqipërisë, a thua se Shqipëria është qendra e botës. Por në fakt ka vetëm një jehonë të madhe të faktit që qytetarët e një vendi të vogël i thonë “JO” familjes së pushtetshme të presidentit Donald Trump.
Një pjesë e argumentit të tij qëndron. Raportimet ndërkombëtare kanë krijuar konfuzion pasi është ngatërruar projekti i ishullit të Sazanit me Zvërnecin. Edhe amplifikimi në rrjetet sociale, përfshirë profile anonime dhe përmbajtje të dyshimta, është një fenomen real. Por kjo nuk e shpjegon të gjithë reagimin. Në terren ka protesta të vërteta, shqetësim të vërtetë jo vetëm për mjedisin, por më shumë për mënyrën se si ka qeverisur Edi Rama në 13 vjet në pushtet.
Problemi është se reagimi i kryeministrit shmang pikërisht këto pyetje: çfarë ndikimi do të ketë zhvillimi në një zonë të mbojtur si Zvërneci? Sa transparent do të jetë procesi? Sa do të dëgjohet komuniteti lokal? Kush do të përfitojë? Përse në vend të 4 miliardëve për vila luksoze ku shqiptarët nuk do pushojnë dot, por vetëm do të mund të punojnë si hysmeqarë, nuk investohen 4 miliardë në një spital modern, ku sërish mund të fitohet nga tarifat, apo në një universitet?
Në vend të kësaj, Rama tentoi ta çojë debatin në një nivel më abstrakt, duke paralajmëruar për rrezikun që keqinformimi të gërryejë vetë themelet e demokracisë. Në fakt, në Shqipëri demokracinë e ka gërryer deri në palcë keqeverisja e tij, me korrupsionin në çdo qelizë, me krimin e organizuar që vendos për gjithçka, qoftë edhe për emërime sanitaresh nëpër institucione. Në një kontekst normal, shetësimi i kryeministrit mund të ishte legjitim për ndonjë “workshop” mbi ndikimin e rrjeteve sociale dhe të “fake news -it” në kohët modern. Por në këtë rast, ai shërben vetëm si një mënyrë për të fshehur realitetin dhe për të shmangur kritikën.
Në fund, e vërteta qëndron aty ku Rama e di më mirë se çdokush tjetër. Reagimi online mund edhe të jetë më dramatik se realiteti, por realiteti është më kompleks dhe sesa paraqitet nga Rama. Telat me gjemba deri në det nuk ishin as foto me Inteligjencë Artificiale as sajesë nga protestuesit apo rrjetet sociale. As grushti në fytyrë dhe tërheqja zvarrë e një protestuesi dhe as uji me pipër mbi protestuesit nuk qe produkt i rrjeteve sociale, por pasojë e veprimeve personale të tij dhe qeverisë që ai drejton. Për këtë arsye, narrativa e Ramës ka gjasë vetëm ta ndezë më shumë si protestën si rrjetet sociale. Sepse, në vend të leksioneve mbi dëmet e rrjeteve sociale, siç bënte dikur me Tik Tokun, për t’i qetësuar shqiptarët do të duhej thjesht të thoshte “qeveria tërhiqet nga Zvërneci”.