zoom

Aktualitet

BE-ja paralajmëron Shqipërinë për projektin e lidhur me Kushner-in në Zvërnec

BE-ja paralajmëron Shqipërinë për projektin e lidhur me Kushner-in në Zvërnec

Brukseli po mban nën vëzhgim të rreptë trazirat politike në Shqipëri, duke paralajmëruar Tiranën se menaxhimi i kësaj situate (në lidhje me projektin në Zvërnec) mund t’i kushtojë shtrenjtë në aplikimin e saj për t’u anëtarësuar në BE.

Nga Politico.eu


TIRANË — Komisioni Evropian ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, mes protestave kombëtare të vazhdueshme për një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushner-in në bregdetin jugor të vendit.

Protestat kombëtare hynë në ditën e tyre të shtatë radhazi të dielën, ndërsa shqiptarët kërkuan anulimin e një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke argumentuar se projekti kërcënon një zonë të mbrojtur të faunës së egër, e cila shërben si shtëpi për flamingot dhe vendfolezimi për breshkat.

Komisioni po paralajmëron se projekti mund ta vendosë Shqipërinë në një rrugë përplasjeje me rregullat mjedisore të BE-së, duke rrezikuar aftësinë e saj për të mbyllur Kapitullin e gjelbër 27 në bisedimet e saj të anëtarësimit.

“Shqipëria duhet të abstenojë nga veprimet që mund të minojnë përmbushjen e standardeve përmbyllëse dhe [ne] presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë,” tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për POLITICO, në përgjigje të një pyetjeje rreth zhvillimit të propozuar kontrovers.

“Në procesin e anëtarësimit në BE, si pjesë e standardeve përmbyllëse për negociimin e Kapitullit 27 mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përafrohet plotësisht me legjislacionin e BE-së në këtë fushë, duke përfshirë Direktivën për Zogjtë dhe atë për Habitatet,” tha zëdhënësi, duke bërë thirrje që Shqipëria të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe të “ndërpresë” ligjin për investimet strategjike. Si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, Shqipëria pritet të përafrohet me rregullat mjedisore të BE-së.

Zëdhënësi i tha gjithashtu POLITICO-s se ministri i mjedisit i Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, kishte informuar Komisionitin në Bruksel se punimet në projekt janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis së bashku me shoqërinë civile.

“Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ministrit të mjedisit për mangësitë e mundshme të këtij projekti,” tha zëdhënësi. Jaupaj nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në momentin e publikimit.

E pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove” sipas flamingove që banojnë në zonën e mbrojtur, protestat u intensifikuan gjatë fundjavës, me thirrje në rritje për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e Shqipërisë, SPAK, ka hapur gjithashtu një hetim mbi ndryshimet kontreverse në statusin e mbrojtur të zonës dhe pronësinë e tokës në vitin 2024.

“Ne vërejmë se projekti është gjithashtu subjekt i hetimeve në vazhdim nga SPAK, të cilat raportohet se shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore,” tha zëdhënësi.

Rama i tha së fundmi POLITICO-s se aktualisht nuk ka shumë interes nga liderët e BE-së për trazirat politike në Shqipëri. Në një intervistë në margjinat e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi më 5 qershor, Rama po ashtu deklaroi se “nëse nuk do të ishte Jaredi, nuk do t’u nxehej fare” (nuk do t’u bëhej vonë) për projektin.

Shqiptarët në Nju Jork, Londër, Bruksel, Milano dhe Berlin, si dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, i janë bashkuar thirrjeve që projekti të anulohet dhe që natyra e Shqipërisë të mos bjerë viktimë e turizmit të pakontrolluar.

Shqipëria është një nga vendet kryesore për t’u anëtarësuar në BE së bashku me Malin e Zi, dhe Rama ka vendosur si objektiv anëtarësimit e bllokut deri në vitin 2030, me negociatat teknike që pritet të mbyllen në fund të vitit 2027.

Ky shqyrtim vjen për shkak të ndryshimeve të Shqipërisë në vitin 2024 në ligjin e saj për Zonat e Mbrojtura, të cilat kritikët thonë se i hapën derën zhvillimit në shkallë të gjerë në zona të ndjeshme të faunës egra. Kjo përfshin zonën e mbrojtur Ndërmjet Vjosa-Nartës, ku ndodhet projekti i lidhur me Kushner-in dhe ku mungon një vlerësim i ndikimit në mjedis.

Brukseli po ashtu ka kohë që i bën presion Tiranës që të shfuqizojë ligjin e saj të vitit 2015 për Investimet Strategjike, pasi ai u jep projekteve të favorizuara trajtim të përshpejtuar, gjë që rrezikon të anashkalojë mbrojtjet mjedisore të BE-së. /Përgatiti në shqip Zoom.al

Postime të lidhura